VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Radio Evropa e Lirë, ARIAN ZEKA - 2014 ISHTE VIT PLOTËSISHT I DËSHTUAR NË ASPEKTIN EKONOMIK DHE TË MIRËQENIES SOCIALE (Intervistë)

E Djelë, 01.04.2015, 11:45am (GMT1)



"Vende të reja të punës nuk mund të ketë, derisa njerëzit që janë në pozita kyçe ministrore nuk kanë guximin të marrin vendime të mëdha e të rëndësishme politike. Po flas për ato vendime që duhet të jenë shumë të shpejta dhe që kanë të bëjnë me projekte të rëndësishme strategjike për vendin tonë", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Radio Evropa e Lirë
Zoti Zeka, Kosova ka përmbyllur një vit me një gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, me një papunësi prej mbi 30 për qind dhe një varfëri prej mbi 10 për qind. Tani jemi në fillim të një vitit të ri, si të adresohen këto probleme?

Arian Zeka: Fillimisht është për shumë keqardhje ku një vit i cili ishte promovuar si vit i zhvillimit ekonomik dhe si vit në të cilin të gjitha fuqitë e institucioneve të shtetit do të fokusohen në reforma më të shpejta të cilat do të mundësonin përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes dhe rrjedhimisht rritjen e investimeve të brendshme dhe ato të huaja ka përfunduar si një vit të cilin plotësisht mund ta konsiderojmë si vi i dështuar në aspektin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies sociale.

E gjithë kjo ka ndodhur si pasojë e ngërçit politik që ishte krijuar në Kosovë për brenda gjashtë muajve.

Nuk ka zgjidhje tjetër për përmirësim të kësaj gjendje përveç që institucionet përgjegjëse të tregojnë zotim dhe punë më të madhe për finalizimin e një pjesë të madhe të reformave që janë nisur nga qeverisja e kaluar, e të cilat nuk ishin përcjell me dinamikën e duhur.

Radio Evropa e Lirë
Ne kemi pasur investime në sektorin publik, ndërkohë që nuk kanë munguarinvestimet në sektorin privat. A do të duhej që Qeveria e Kosovës përfundimisht të orientohet në zhvillimin e sektorit privat?

Arian Zeka: Ajo çka do të mund të bënin institucionet e vendit për zhvillimin e sektorit privat, i cili është shtylla kryesorë e zhvillimit ekonomik të vendit, është të krijojë kushte përmes së cilit sektori privat do të fuqizohej.

Kushtet e tilla kanë munguar në këto vitet e pas shpalljes së pavarësisë, nuk ka pasur lehtësira të cilat do të mundësonin rritjen e sektorit privat. Të gjitha vendimet apo ligjet që janë krijuar kanë qenë në fokus afatshkurtër në vjeljen e sa më shumë të hyrave nga sektorit privat.

Natyrisht kthimi nga sektori privat përmes investimeve të tjera ka qenë shumë i mangët dhe kjo për shkak të mungesës së kreativitetit të institucioneve qeveritare,po natyrisht edhe për shkak të faktit se politikat që mundësojnë sektorin privat nuk janë politika populliste në shoqërinë kosovare, pasi që ekziston një antagonizëm më i shprehur karshi sektorit privat.

Ky është një dështim tjetër i institucioneve të vendit. Përgjatë këtyre viteve as një institucion apo zyrtarë nuk ka arritur të ndryshojë këtë qasje karshi sektorit privat, nuk ka arritur të rrisë vetëdijen e njerëzve për rëndësinë e sektorit privat.

Unë kam dyshime që zyrtarët e institucioneve janë të vetëdijshëm për rolin e rëndësishëm që ka sektorit privat. Është për shumë keqardhje ajo çka po shohim kur po bëhet ndërrimi i pushtetit, e cili ndodh çdo katër vjet. Ka falënderime që iu bëhen ministrave apo zyrtarëve tjerë për punën që e kanë bërë.

Tingëllon shumë qesharake, por është e dhimbshme të përsëritet edhe një herë barsoleta e cila i referohet punës së mjekeve. "˜Kur një mjek del nga salla e operacionit dhe thotë se operacioni pat sukses, por pacienti ka ndërruar jetë'.

Realisht, kjo është çka po dëgjojmë çdo ditë nga ana e zyrtarëve tanë. Mburren me ligjet që i nxjerrin, mburren me politikat apo vendimet që i marrin gjatë mandatit të tyre,por asnjëra prej tyre nuk ka efekt pozitiv, as në fuqizimin e sektorit privat dhe as në mirëqenien e qytetarëve të vendit .

Flasin për liberalizmin e vizave kur do të ndodh, por realisht ai liberalizim i vizave nuk do të ketë kuptim në situatën kur një pjesë e madhe e popullsisë e ka barkun bosh.

Radio Evropa e Lirë
Pse po ndodhin të gjitha këto në Kosovë, mungon profesionalizimi zyrtarëve qeveritarë për t'i drejtuar punën ashtu si duhet apo ku po qëndron problemi?

Arian Zeka: E parë është pikërisht aty. Shumë shpesh njerëzit japin ankesa dhe shumica prej atyre ankesave sugjerojnë qëzyrtarët e institucioneve nuk e kanë vullnetin e duhur.

Por ajo çka e kemi parë nga e kaluara, vullneti ekziston, ekziston edhe gatishmëria e zyrtarëve për të dëgjuar palët e tjera të interesit, përfshirë këtu edhe asociacionet e bizneseve lidhur me atë se çfarë duhet të behët, por ajo çka kam vënë re është që një pjesë e madhe e tyre duke u nisur nga nivelet më të larta qeveritare nuk kanë as idenë më të vogël pse duhet të fuqizohet sektori privat.

Pse sektori privat duhet të ketë duart e lira, jo që të bëjë shkelje apo kundërvajtje ligjore, jo që të shmanget nga detyrimet ndaj shtetit, por të ketë duart e lira për të kryer investime të ndryshme për sektor të ndryshëm, aty kur Kosova ofron potencialet më të shumta.

Radio Evropa e Lirë
Buxheti i Kosovës për vitin 2015 do të jetë 1.5 miliardë euro. Sa mund të sjell zhvillim ekonomik ky buxhet?

Arian Zeka: Buxheti në terma nominal është shumë i vogël dhe si i tillë nuk mundëson rritje ekonomik dhe nuk mundëson investime të shumta as në asketin infrastrukturorë apo investime tjera që do të mundësojnë një qarkullim të parasë së gatshme tek sektori privat, i cili pastaj të kishte mundësinë reale të fuqizohej.

Natyrisht që kjo është arsyeja që po e potencoj rëndësinë e investimeve nga ana e institucioneve qeveritare, pasi që kjo mbetet mundësia reale për mbajtjen në norma të caktuara të rrjedhës së parasë të gatshme tek për bizneset.

Radio Evropa e Lirë
Së fundi kemi pasur një numër të madh të qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën dhe arsyeja kryesorë ka qenë papunësia e larta. A mund të krijohen vende te reja të punës në Kosovë?

Arian Zeka: Vende të reja të punës nuk mund të ketë derisa njerëzit që janë në pozita kyçe ministrore nuk kanë guximin të marrin vendime të mëdha e të rëndësishme politike. Po flas për ato vendime që duhet të jenë shumë të shpejta dhe që kanë të bëjnë më projekte të rëndësisë strategjike për vendin tonë.

Është për keqardhje që kemi pasur shtyrje të vazhdueshme në ndërtimin e Termocentralit "˜Kosova e re'. Mungesa e guximit politik të të gjithë ministrave që kanë shërbyer në ato ministri na ka sjell në këtë situatë ku sot realisht importojmë energji elektrike në vend se të kishim kapacitet tona gjeneruese që do të plotësonin nevojat e vendit dhe natyrisht do të eksportonim pjesën tjetër të mbetur.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.