VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ALBIN KURTI NUK KANDIDON PËR KRYETAR TË VETËVENDOSJES
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se nuk do të rikandidojë për kryetar të kësaj lëvizjeje, por do të kthehet në bazë


E Mërkurë, 01.21.2015, 07:00pm (GMT1)



Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk do të rikandidojë për këtë pozitë në zgjedhjet e brendshme të kësaj lëvizjeje. Në mesditën e së mërkurës kjo lëvizje shpalli të mbyllur procesin e pranimit të kandidaturave për kryetar dhe i vetmi kandidat i regjistruar është Visar Ymeri, aktualisht kryetar i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari aktual Albin Kurti në një letër drejtuar lëvizjes dhe simpatizantëve tha se ka vendosur të kthehet në bazë për të ndihmuar ristrukturimin e lëvizjes, sepse "aty nevojitem më së shumti në një kohë kur Kosovës i nevojitet më së shumti vetëvendosja. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo për organizatën tonë. Mirëpo, që të bëhet e mundur një gjë e tillë, kam vlerësuar që nuk duhet të jem kryetar edhe këtë mandat. Thjesht, është e pamundur të punoj në bazë, me qendrat e pikat tona, me aktivistët që edhe e përbëjnë organizatën politike edhe e bëjnë një komunitet njerëzish, nëse në të njëjtën kohë jam edhe kryetar që duhet ta drejtoj e udhëheq të gjithë Lëvizjen. Nga menaxhimi prej lart duhet të kthehem te puna poshtë në mënyrë që ta lartësoj organizimin. Me fjalë të tjera, duhet zvogëluar aspekti reprezentativ për ta rritur atë organizativ".

Ai shfaqi besimin se mos kandidimi i tij nuk do të dëmtojë lëvizjen.

"Ky vendim është i jashtëzakonshëm. Sepse unë i përkas një Lëvizjeje të jashtëzakonshme siÒ« është VETËVENDOSJE!. Unë s'kam qenë asnjëherë kryetar i zakonshëm. Dhe, tash, s'mund të jem zakonshëm kryetar", thuhet në letrën e zotit Kurti.

Vetëvendosje është partia më e madhe opozitare në parlamentin e Kosovës dhe kundërshtare e bisedimeve aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Kritike ndaj pushtetit, kjo lëvizje edhe sot e vlerësoi situatën në Kosovë më të keqen që nga shpallja e pavarësisë së saj shtatë vjet më parë.za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.