VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EDHE DEÇANI PROTESTOI - KËRKOI SHKARKIMIN E JABLLANOVIÇIT

E Enjte, 01.22.2015, 06:42pm (GMT1)

 
Qindra qytetarë të Deçanit kanë marrë pjesë në një demonstratë që u organizua në këtë qytezë kundër deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandër Jabllanoviq.

Ata me këtë rast kërkuan nga kryeministri Isa Mustafa që urgjentisht të shkarkohet ky ministër i cili me deklaratën e tij nuk ka fyer vetëm nënat e Gjakovës por edhe nënat e të gjithë të zhdukurve.

Kryetarja e shoqatës "Thirrjet e nënave" nga Gjakova Nysrete Kumnova në fjalimin e saj ka thënë se Jabllanoviq i ka ofenduar nënat e të zhdukurve për fatin e të cilëve nuk dihet ende, por jo vetëm ato.

"Ai nuk i ofendoi vetëm nënat e Gjakovës, por u ofenduam të gjithë familjarët e të zhdukurve të Kosovës kur dihet se në luftën e fundit në Kosovë 1998-99, kriminelët e ish pushtetit serbo-malazez bënë gjenocid ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, pa kursyer fëmijët dhe gratë shtatzëna. I vranë mbi 12 mijë shqiptarë, i zhdukën mbi 6 mijë ku edhe pas 16 viteve ende nuk dihet për fatin e 1650 qytetarëve. Mbi 20 mijë femra të dhunuara dhe mbi një milion shqiptarë u shpërngulën nga Kosova nga makineria shoviniste serbo-malazeze. Andaj nga kjo protestë që po mbahet në Komunën e Deçanit dhe të gjitha protestat e mbajtura në shumë komuna të Kosovës i bëjmë thirrje kryeministrit që urgjentisht ta shkarkojë shovinistin serb Jabllanoviq", ka thënë Kumnova, përcjell kp.

Demonstratën në Deçan e ka organizuar Lidhja e Historianëve "Ali Hadri" së bashku me partitë politike të kësaj qyteze.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.