VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JAHJAGA - ANËTARËSIMI I KOSOVËS NË NATO, VLERË E SHTUAR PËR SIGURINË RAJONALE

E Premte, 01.23.2015, 04:47pm (GMT1)


Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot sekretarin e përgjithshëm të NATO, zotëri Jens Stoltenberg në vizitën e tij të parë në Republikën e Kosovës, me të cilin diskutuan zhvillimet aktuale në vend dhe orientimin strategjik të Kosovës për t'u anëtarësuar në Aleancën Veriatlantike.

Presidentja Jahjaga e falënderoi sekretarin Stoltenberg për kontributin e NATO-s dhe forcës së saj paqeruajtëse, KFOR-it, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë, të nevojshëm për të krijuar kushtet për ndërtimin e institucioneve dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë.

Presidentja Jahjaga po ashtu falënderoi shtetet anëtare të NATO-s dhe partnerët për përkushtimin e tyre parimor që prania e forcave të tyre paqeruajtëse në Kosovë të mos jetë e kufizuar nga një afat kohor, por të rregullohet në bazë të përparimit të bërë në vend.

Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës dhe NATO-ja duhet të punojnë në partneritet të plotë drejt synimit strategjik që Kosova të zhvillojë forcat e saj në përputhje me standardet e NATO-s dhe vizionin që Kosova të anëtarësohet në Aleancë, si vlerë e shtuar për sigurinë rajonale dhe globale, dhe nevojën që ky partneritet të shndërrohet në marrëdhënie kontraktuale mes Kosovës dhe NATO-s.

Presidentja e njoftoi Sekretarin Stoltenberg me konkluzat e procesit të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë dhe vendimin e institucioneve të Kosovës për të filluar transformimin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, një forcë mbrojtëse, dizajni i të cilës është përcaktuar në përputhje me interesat strategjik, sigurinë kombëtare, nevojat dhe resurset e Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga po ashtu njoftoi sekretarin Stoltenberg për përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të vazhduar dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të hapur perspektivën e tyre evropiane, dhe për angazhimin e vazhdueshëm të mekanizmave të sigurisë së Republikës së Kosovës që të përballen me kërcënimin e ekstremizmit dhe radikalizmit në vend.

Sekretari Stoltenberg theksoi se NATO-ja mbetet e përkushtuar të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe se prania e forcave paqeruajtëse në Kosovë është garantues i paqes dhe stabilitetit në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, që ndihmon zhvillimet politike dhe dialogun mes shteteve të rajonit.

Ai po ashtu theksoi se NATO-ja do të vazhdojë angazhimin për ndërtimin e kapacitetit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përshëndeti angazhimin institucional në Kosovë në aspektin e sigurisë dhe atë ligjor për të parandaluar individë nga Kosova që t'iu bashkëngjiten kauzave terroriste në Siri dhe Irak.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.