VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KJO DITË E GJITHË PËR TË KUJTUAR - 27 JANARI
Poemë nga VISAR ZHITI

E Martë, 01.27.2015, 07:26am (GMT1)



për V. M. Solomon




Kjo ditë e gjithë për të kujtuar...

Dhe nuk është lojë, megjithëse lodrat mbetën vetëm,
të trishtura, pa fëmijët, të shkelura, të thyera
dhe një e qarë nëpër erë, pa gojë
e lotët pa sy,
përzier me shiun që nuk binte, por rrinte pezull si ankthi.
Borsalina të flakura më tej si urtësia e pleqve, të çara
dhe heshtje e zezë dhe qen këmbëthyer,
gjysma macesh, copra pasqyrash,
flatra zogjsh, ëndrrash e librash...

Në rrugën e zbrazët një këpucë e hedhur gruaje,
e kuqe si gjaku, si zemra... Ku po e çojnë jetën?


Shpejt, shpejt, shpejt, ec, lëviz!
Ju - andej harrimit,
këtej harrimit - ju.
Shtyhuni! Të nisen makinat? Ku? Ku? Nëpër natë.
Në cilën natë, në atë që s'ka yje,
por tela me gjëmba. Në natën e fundit,
ku nuk zbardh më...

Ju - andej harrimit,
Këtej harrimit - ju. Në mes ndarja
si një e çarë fatale e botës.
Rreshti i gjatë, shumë i gjatë, gjysma në të dikurshmen dhe gjysma në të ardhmen dhe

nuk mjafton një ditë për të kujtuar...


Një lamtumirë që s'mbaron kurrë lëkundet gjithmonë si dorë e këputur, ja, u shndërrua në kockë, në mermer.

Këpucë të kalbura, që ecin vetë pa këmbë. Mos janë këpucët e misterit, të padurimit,
të frikës së shndërruar në guxim? Ja, dalin
nga rrethimi, poshtë telave me gjëmba,
ku po shkoni, mijëra këpucë, se si jeni,
si ulërimat, nuk ju nxë dot asnjë kujtesë,
Pirgje leckash të gjalla, por krimi është më i madh, ohu-u, sa i madh! Dhe sa të vegjël janë
ata që e kryen, më pak se njëra nga këpucët, se guriçka
brenda tyre...

Tymi i kobshëm i kufomave e shton kollën mbytëse kudo, te të gjitha rrugët e dyert. Kolliten shkallët, dritaret, heshtja,
automatiku i zi, kujtesa, pemët, librat, pendesa... Dhe ai sapun makabër
si mund t'i lajë duart e historisë?
Ti shikon unazat
e mijëra gishtrinjve të prerë, derdhen vezullimet tani si ai shiu i ngrirë që nuk binte... Po ora, ku është ora e njeriut, vajti vonë për në takimin që s'do të mbërrihet dot asnjëherë.

Kërkëllijnë skeletet, çohen nga balta e vdekjes dhe kërkojnë mishin që ua zhvatën, duan pyllin e djegur të flokëve. Dritën e syve. Kujtesën. Pa kujtesë bota është vetëm një kafkë.
Pse heshtin fjalët, po kalben
bashkë me buzët e kohës, puthja e mortjes mbulon brigjet dhe miliarda këpucë bosh ecin mbrapsht drejt harresës, fundosen në gropat ku kanë hedhur të gjalla ngjarjet e zbathura.

Skeletet e jetës ulërijnë për atë pjesë jete të pakryer më fort se sirenat ngjethëse të atyre trenave të egër që s'ndalnin gjëkundi, veçse në stacionin e fundit të vdekjes. Por ka prapë stacione, pa epidemi, ai i ndërgjegjeve
së popujve, stacion tjetër i fantazmave... ja, erdhën nga prapa diellit. Stacioni i tmerrshëm
i kujtesës.

S'ka më rreshta, as rregull,
turma ngjarjesh, mëkatesh,
gjëmojnë hapat e shurdhëta të akuzave, se ç'lëviz poshtë dheut, hapen gropat vetë jam dhe unë ndanë tyre, shpirt, s'kam kohë të ringjallem, vërtitem në vorbulla gjyqesh, jo në atë të fundit, kërkoj pallton time të shqyer, e ç'i duhet më shumë një fantazme,
por e ka veshur vrasësi im, jo se ka më ftohtë, por ai ka përvetësuar dhe fatin tim...

E ku mjafton një ditë për të kujtuar, nuk i nxë dot të gjitha, aq më pak një jetë. As harresa
nuk mjafton, s'mundet, nuk i përpin dot të gjitha, nuk mjafon as vdekja.


Ç'po shkrin kështu, çasti? Pika të nxehta kohe,
pikon kujtesa prej dylli e qiririt që ndeza tani
dhe flakëza, duke mos gjetur mbrojtje mes qerpikëve,
mërgon nëpër yjet e largët.




Romë, 27. 01. 2010
------------------------------ Tiranë, janar, 2012.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.