VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KMDLNJ KËRKON HETIM, SHPREH HABINË PËR PJESËMARRJEN E MADHE TË TË RINISË SHKOLLORE NË PROTESTË

E Mërkurë, 01.28.2015, 03:21pm (GMT1)



Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë thotë se protesta e djeshme në Prishtinë ka qenë e dhunshme dhe e vetmja gjë pozitive është se nuk ka pasur viktima në njerëz.

Ndonëse ishte paralajmëruar si protestë paqësore dhe e tillë kishte filluar, ajo në fund, sipas KMDLNJ-së, ka eskaluar dhe ka përfunuar si protestë e dhunshme.

KMDLNJ ka thënë se është sidomos shqetësues fakti se në përballjen e djeshme të dhunshme, ka pasur të përfshirë shumë të rinj, kryesisht nxënës të shkollave të mesme

"KMDLNj kërkon hetime të menjëhershme për ata protestues që kanë hedhur gjësende të rënda në drejtim të Policisë së Kosovës duke u shkaktuar lëndime të rënda dhe rrezikshmëri për jetën si dhe për nxitësit e dhunës, pavarësisht cilës palë i takojnë", thuhet në një kumtesë të lëshuar.

KMDLNJ thotë se Policia e Kosovës ndaj protestuesve gjatë ditës së djeshme ka përdorur sasi të mëdha gazi lotsjellës që sipas tyre,asnjëherë nuk është përdorur më parë në Kosovë në këso sasi.

Gjatë përdorimit të plumbave të gomës, topave të ujit, mjeteve të blinduara për shpërndarjen e turmës, shkopinjëve të gomës etj., sipas kumtesës, KMDLNJ i ka identifikuar dy raste kur policia shkel të drejtat e personave të privuara nga liria duke përdorur forcë ndaj të arrestuarve edhe pas prangosjes.

Pavarësisht kësaj, vlerësimi i KMDLNj-së "është se Policia e Kosovës ka bërë përpjekje maksimale për mos përdorim të dhunës".

Protestuesit sipas këtij Këshilli, kanë qenë shumë agresiv ndaj policisë duke hedhur ndaj tyre çdo gjë që u ka rënë në duar.

"Në drejtim të policisë janë hedhur kubëza guri, pjesë metalike, shkopinj, copë mermeri i thyer nga anësoret, karrige (ku ka pasur mundësi), gurë të shumtë, kanë vendosur barrikada me kontejnerë dhe gjësende që janë marrë nga lokalet e afërta (kryesisht karriget dhe çadrat nga kafiteritë), shportat e mbeturinave, kunj metalikë të trotuareve dhe gjësende të tjera të forta. Sidomos nga kubëzat e gurit dhe gurëve me peshë të rëndë janë lënduar shumë policë", vlerëson KMDLNJ.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.