VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOSOVË - AMBASADORËT TAKOJNË KRERËT E OPOZITËS

E Mërkurë, 01.28.2015, 07:14pm (GMT1)


Përfaqësues ndërkombëtarë po vizitojnë këtë të mërkurë, një ditë pas protestës që degradoi në dhunë, selitë e partive opozitare në Prishtinë.

Burime nga AAK konfirmuan për TCH se në selinë e kësaj partie ka qenë ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson dhe ambasadorë të tjerë për të diskutuar mbi zhvillimet në vend. Për momentin mbi takimin nuk jepen detaje.

Ndërsa Vetëvendosje ka njoftuar përmes një komunikate për shtyp se përfaqësuesi special dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar me bashkëpunëtorët e tij ka vizituar selinë e lëvizjes.

Sipas njoftimit, zyrtarët evropianë janë takuar me lidershipin e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Visar Ymeri. As për këtë takim nuk jepen detaje.

Më herët gjatë ditës, përmes një deklarate për shtyp zyra e BE-së kritikoi aktet e dhunshme të verifikuara në protestën e së martës.

"Protesta paqësore është një mënyrë demokratike përmes së cilës qytetarët dërgojnë mesazhe te udhëheqësit e tyre politikë, por dhuna është e papranueshme: ajo gjithmonë shkon në dëm të shkakut të atij veprimi dhe rrezikon hapësirën demokratike", thuhej në deklaratë. / Top Channel

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.