VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Mali i Zi dhe Kosova vendosën marrëdhënie diplomatike
E Premte, 01.15.2010, 02:04pm (GMT1)

 

 


Kosova dhe Mali i Zi sot vendosën marrëdhënie diplomatike.

Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, tha se "Mali i Zi dhe Kosova sot vendosën marrëdhënie diplomatike duke shkëmbyer letrat e marrëveshjes".

Hyseni tha se vendosja e marrëdhenieve diplomatike ka ardhur pas një komunikimi zyrtar me homologun e tij, Millan Roçen, dhe ftesës që i është bërë nga Republika e Kosovës.

Shefi i diplomacisë kosovare, Hyseni, gjithashtu tha së në kohën e duhur do të shkëmbehen ambasadorët dhe stafi tjetër diplomatik.

"Ndjeshmëria e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi ka bërë që vendosja e marrëdhënieve diplomatike te zhargitet", deklaroi Hyseni.

Më herët, Qeveria në Podgoricë tha se marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën janë vendosur në pajtim me vendimin zyrtar të 9 tetorit, 2008, për njohjen e Kosovës.

Në letrën e tij, Roçen ka theksuar se e ndan mendimin e homologut të tij se marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës kanë perspektivë të mirë.

Ai ka theksuar se Mali i Zi e vlesëron lart atë që Hyseni e ka theksuar në letrën e tij se autoritetet e Kosovës kanë mirëkuptim për nevojat e komunitetit malazez në Kosovë.

"Pres që statusi i tyre do të zgjidhet mbi baza të përhershme në kuadër të sistemit juridik të Kosovës, njëkohësisht me përgatitjet për këmbimin e personelit diplomatike", ka thënë shefi i diplomacisë malazeze.

Roçen ka theksuar se kjo do t'i kontribuojë mirëbesimit të ndërsjellë dhe respektimit tradicional që kultivojnë dy popujt miq, për interesin e përbashkët, forcimin e stabilitetit rajonal dhe arritjen më të shpejtë të synimeve evropiane dhe euroatlantike.

Në vitin 2008, njohja e Kosovës nga Podgorica bëri që Beogradi ta dëbojë ambasadorin malazez, por nëntorin e kaluar, ambasadori i Malit të Zi u kthye në Beograd.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.