VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOSOVË - GREVË E PËRGJITHSHME NË ARSIM DHE SHËNDETËSI
Fotoreportazh nga RADIO EVROPA E LIRË

E Premte, 01.30.2015, 02:09pm (GMT1)



Në shumicën e institucioneve parauniversitare dhe ato shëndetësore në Kosovë ka filluar greva një ditëshe e organizuar nga sindikatat përkatëse.

Greva e të dy sektorëve ka për qëllim realizimin e Kontratës Kolektive, të nënshkruar në mars të vitit të kaluar, ndërmjet qeverisë se Kosovës dhe përfaqësuesve të bizneseve dhe punëtorëve.

Kontrata Kolektive, marrëveshja mbi të cilën është arritur në bazë të Ligjit të Punës, ligjërisht rregullon të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat.

Rexhep Sadiku, nënkryetar i Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, për Radion Evropa e Lirë, tha se shumica e mësimdhënësve në nivel shtetëror kanë hyrë në grevë.

"Greva ka filluar dhe gjithçka është duke u zhvilluar sipas skenarit të paraparë të SBASHK-ut. Sipas informacioneve që kemi, po zbatohet vendimit", tha Sadiku

Edhe punëtorët shëndetësorë në gjithë territorin e Kosovës kanë filluar grevën 24 orëshe, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë,

"Sot Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, gjegjësisht punëtorët shëndetësorë kanë filluar grevën nga ora 7- të e mëngjesit. Fillimisht kërkojmë ndjesë nga qytetarët dhe i lusim ata të na mirëkuptojnë", tha zoti Syla, duke njoftuar se greva do të zgjasë deri në orën 7 të mëngjesit të së shtunës.

Në funksion janë shërbimet emergjente në klinikat shëndetësore, transfuzioni, hemodializa dhe lindjet.

Qeveria e Kosovës ndërkaq ka paralajmëruar se zbatimi i Kontratës Kolektive në tërësi nuk do të mund të realizohet deri në rishqyrtimin e buxhetit të Kosovës, në muajin qershor.









www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.