VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VETËVENDOSJE - OSE TË PLOTËSOHEN KËRKESAT PUBLIKE, OSE PUBLIKU HIDHET NË PROTESTË

E Djelë, 02.01.2015, 05:28pm (GMT1)

   
"Dhuna e Policisë së Kosovës është duke vazhduar edhe sot, 5 ditë pas protestës", tha Frashër Krasniqi në fillim të konferencës se sotme për media të Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën u shpjegua se skenari i Policisë që ta pengojë protestën me dhunë po vazhdon akoma, por tani në formë bastisjesh e arrestimesh nëpër shtëpitë e qytetarëve.

Ai e bëri me dije se sipas informacioneve nga qytetarët, dhjetëra personave u janë bastisur shtëpitë dhe janë arrestuar duke ushtruar dhunë mbi ta, qoftë gjatë arrestimit apo në stacione policore.

"Kjo i ngjan dhunës në protestat e paraluftës", tha Frashër Krasniqi. Ai gjithashtu tha se nga protesta e të shtunës u janë dhënë nga 30 ditë paraburgim, ndërkaq nga protesta e të martës nga gjithë ai numër i të arrestuarish, 29 së paku i kanë marrë nga 30 ditë paraburgim.

Mirëpo, Krasniqi tha se kjo nuk po e zmbrapsë popullin, sepse nga informatat nga terreni, populli është edhe më i mobilizuar sesa në dy protestat e kaluara, për të protestuar të mërkurën.

Ndërkaq, Visar Ymeri në fjalën e tij tha se kjo dhunë e Policisë është dëshmi e panikut të Qeverisë. "Qeveria është në panik, e frikësuar dhe tani e kemi një situatë kur të frikësuarit po tentojnë t'i frikësojnë qytetarët", tha Ymeri, duke konstatuar se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi janë të frikësuar të përballen me Jabllanoviqin dhe Serbinë e të ndërmarrin veprime sovranizuese për shtetin e Kosovës.

Duke iu referuar dhunës së Policisë ndaj qytetarëve, Visar Ymeri tërhoqi vërejtjen se deri tash asnjë polic nuk është raportuar apo hetuar për sjelljet e tyre brutale, dëshmitarë të së cilës janë të gjithë. Ai kërkoi nga Policia që t'i bëjë publikë emrat e të gjithë të arrestuarve dhe arsyet se pse ata po ndiqen dhe po mbahen në paraburgim.

Njëkohësisht Ymeri iu bëri thirrje të gjitha organizatave vendore e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që të veprojnë, hulumtojnë dhe reagojnë karshi kësaj përndjekjeje policore dhe politike.

Në fund, Visar Ymeri porositi se Qeveria e Kosovës dhe Isa Mustafa i kanë dy ditë që t'i plotësojnë kërkesat e protestës. "Isa Mustafa e Hashim Thaçi i kanë dy alternativa: Ose të ballafaqohen me Serbinë, që ta jetësojnë Republikën e Kosovës, ose do të ballafaqohen me qytetarët e bashkuar në protestë, në mënyrë që burimi i sovranitetit të jetë edhe ushtrim i sovranitetit, nëpërmjet protestës".kd
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.