VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KOSOVË - THELLOHEN MOSPAJTIMET PËR GJYKATËN SPECIALE E Hënë, 02.23.2015, 07:18pm (GMT1) Themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës ka nxitur debate mjaft të ashpra në raportet mes pushtetit dhe opozitës në Kosovë. Partitë opozitare po e cilësojnë themelimin e kësaj gjykate si një nga të këqijat që po i bëhen Kosovës. Përderisa partitë në pushtet themelimin e saj e arsyetojnë me kërkesat dhe trysnitë në rritje nga faktori ndërkombëtar. Pas deklarimit të qartë të Lëvizjes Vetëvendosje, të hënën edhe subjekti tjetër opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka prezantuar pozicionin kundër themelimit të Gjykatës Speciale. Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë për themelimin e kësaj Gjykate "është gjëja më e keqe që mund t'i ndodhë Kosovës". "Republika e Kosovës dhe përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës nuk guxojnë ta aprovojnë një projektligj të tillë, i cili parasheh jo vetëm aktakuza për individë, por edhe në përgjithësi për kauzën tonë, për luftën e UÇK-së dhe për shtetin e Kosovës. Në Kosovë ka ndodhë gjenocidi, por këtë e ka bërë Serbia, ndërkaq projektligji, siç është sjellë, në fakt pretendon të kundërtën", ka thënë Kadaj-Bujupi. Gjykata Speciale për krimet e luftës, sipas deputetes Donika Kadaj Bujupi vjen si pasojë e dështimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Një kundërshtim të ashpër themelimit të kësaj gjykate ka prezantuar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh edhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Legjislacion ka thënë se me themelimin eventual të kësaj gjykate, Kosova do të humbë tutje nga sovraniteti i saj si shtet. "Procedurat nëpër të cilat do të kalojë ndërtimi i këtij sistemi të plotë paralel të gjyqësisë në Kosovë nga ana e Gjykatës Speciale paraqesin gurin e fundit të atij pak sovraniteti të pavarësisë që kishte Kosova. Me këtë proces nuk mbetet më asgjë nga shteti i së drejtës në një republikë të pavarur", ka deklaruar Haxhiu. Në anën tjetër, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili pak ditë më parë i ka prezantuar Komisionit për Legjislacion draft-ligjin për këtë Gjykatë, kishte deklaruar se hartuesit e saj ishin treguar të kujdesshëm që të mos preket në sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe organet e drejtësisë. Kuçi kishte pranuar se kjo Gjykatë nuk është vendim i drejtë, por sikurse edhe pjesa tjetër e zyrtarëve të lartë shtetëror të Kosovës ka lënë të nënkuptohet që themelimi i saj po vjen si rezultat i trysnive ndërkombëtare. "Kemi qenë të kujdesshëm që ta mbrojmë sovranitetin e vendit tonë dhe pa e dëmtuar në asnjë pikë sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe strukturat e tashme institucionale e ligjore", ka thënë Kuçi. Draft-ligji për Gjykatën Speciale, me gjithë debatet aktuale, nuk pritet të jetë në rendin e ditës së seancës së radhës së Kuvendit të Kosovës të thirrur për këtë të enjte. Nisma për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata e veçantë apo speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë. E veçanta e funksionimit të kësaj Gjykate do të jetë roli i prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtarë dhe trajtimi i rasteve jashtë Kosovës, për të shmangur presionet dhe ndërhyrjet në punën e gjyqësorit.za www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |