VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË TIRANË SOT MINISTERIALI I SEECP
Merr pjesë edhe presidenca letoneze e BE-së si dhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin europian


E Martë, 02.24.2015, 07:48am (GMT1)

 

Në Tiranë nis sot ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të europës Jug-Lindore, SEECP, ku bëjnë pjesë 13 shtete, mes të cilave të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor. Turqia, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova do të përfaqësohen me ministrat e tyre të jashtëm, ndërsa pjesmarrësit e tjerë në nivel zëvendësministrash. Pas vendimit të marrë, vitin e shkuar në mbyllje të presidencës rumune, Kosova do të jetë këtë herë jo më me një status të vecantë por si vend anëtarë i SEECP-it, pasi dhe Serbia duket se është tërhequr nga pozicioni i saj kundërshtues.

 Në ministerialin e sotëm marrin pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit europian, sekretarja e Shtetit për Cështjet europiane e Letonisë, Zanda Kalnina-Lukasevica, vendi i së cilës ka presidencën e radhës së BE-së, si dhe drejtori për Ballkanin perëndimor në Komisionin europian Jean Eric Paquet.

Krahas zhvillimeve rajonale një ndër temat e këtij ministeriali do të jetë edhe cështja e terrorizmit dhe qasja ndaj tij, në linjë me qëndrimin e mbajtur nga Bashkimi europian. Ndërkohë që një vend të rëndësishëm pritet të zerë edhe tema e projekteve të përbashkëta rajonale. Në vazhdim edhe të piketave të hedhura nga konferenca e Berlinit, Shqipëria po këmbëngul që të ecet përpara në mënyrë konkrete, në mënyrë që vendet e Ballkanit të mund të përfitojnë nga mbështetja e Bashkimit europian. Kësaj cështjeje i mëshoi javën e shkuar në Bruksel edhe kryeministri Edi Rama dhe ajo do të jetë në qendër edhe të mëngjesit të punës që përfaqësuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor do të kenë sot me përfaqësuesin e komisionit europian Paquet.

Takimi i sotëm do të hapet me një përshëndetje nga kryeministri shqiptar Edi Rama, ndërsa në përfundim të tij pasdite, do të dilet edhe më nje deklaratë të përbashkët, për të cilën të gjtha palët kanë rënë tashmë dakort.

Ministeriali u parapri dje pasdite nga një seri takimesh dypalëshe të shefit të diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati. Ai nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me homologun e tij malazez, Igor Luksic, ndërsa u takua dhe me zëvendësministrin e jashtëm grek, për cështjet europiane Nikolaos Chountis. Ky është takimi i parë me një përfaqësues të qeverisë së re greke të kryeministrit Alexis Tsipras, por njohjet me të janë më të vjetra. Zoti Chountis ka qenë relator për Shqipërinë në parlamentin europian. Me Athinën, Tirana ka ende disa cështje të hapura, të cilave së fundmi duket se i është shtuar dhe një tjetër, mjaft e ndjeshme, ajo e mundësisë së devijimit të lumit Vjosa, në territorin grek si pasojë e një projekti për ndërtimin e një hidrocentrali. Ministri Bushati tha mbrëmë se Shqipëria dhe Greqia do të bashkëpunojnë për të zgjidhur të gjitha problematikat, ndërsa mësohet se rreth kësaj cështjeje  është folur edhe me zotin Chountis.

Takimet e ministrit Bushati u mbyllën me homologun e tij turk Mevlut Çavusouglu, ku dhe një herë është rikonfimuar marrëdhënia e ngushtë mes dy vendeve. "Ne duam që këto marrëdhënie, të cilat po thellohen gjithnjë e më shumë, t'i ngremë dhe në mënyrë institucionale duke ngritur Këshillin e Partneritetit Strategjik, ashtu siç i ka hije të dy popujve tanë", u shpreh ministri turk.

Në fund të majit, po në kuadër të SEECP-it, është parashikuar të zhvillohet dhe takimi në nivel të kryetarëve të qeverive të vendeve anëtare, e cila do të paraprihet nga takimi i ministrave të jashtëm, ndërkohë që gjatë kësaj kohe do të ketë edhe takime në nivele ministrash të sektorëve të vecantë apo dhe një takim të përfaqësuesve të parlamenteve të shteteve pjesmarrëse në këtë proces.za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.