VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MBËSHTETET PROJEKTREZOLUTA E LUNAÇEKUT - PARLAMENTI EVROPIAN DO T'IU KËRKOJË PESË VENDEVE TË MBETURA TA NJOHIN KOSOVËN

E Martë, 02.24.2015, 02:34pm (GMT1)


Bruksel, 24 shkurt - Parlamenti Evropian do t`iu kërkojë sërish zyrtarisht pesë vendeve të mbetura evopiane që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Kështu thuhet në propozim rezolutën e fundit për Kosovën, e cila u votua në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit.

Raportuesja për Kosovën Ulrike Lunaçek dhe autorja e dokumentit në fjalë mori përkrahjen e 35 anëtarëve të Komitetit, ndërsa kundër këtij drafti votuan 7 deputetë e 4 tjerë abstenuan.

Lunaçek shpreson se kjo shumicë dërmuese do të dominojë edhe gjatë votimit në seancë plenare në muajin mars. Në tekstin e draft rezolutës, kërkohet nga Komisioni Evropian që të procedojë tutje me procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën, pavarësisht fluksit të fundit të imigrantëve që ilegalisht po ia mësyjnë evropës, raporton rtk.

"Jam e sigurtë se ndër arsyet përse ca njerëz largohen nga Kosova është edhe ndjenja se je i vetmi në rajon që nuk mundet me lëvizë", ka deklaruar Lunaçek pas votimit të sotëm.

Sidoqoftë, shqëtësimi për numrin e madh të qytetarëve të Kosovës që braktisin vendin ka zënë vend të rënëdsishëm në raportin e Ulrike Lunaçek. Në mes tjerash në dokument përfshihet edhe kërkesa për hetime serioze në lidhje me aludimet për korrupsion brenda EULEX-it. Dokumenti i Parlamentit Evropian shpreh pakenaqësinë me numrin aq të vogel të femrave në qeverinë me numër aq të madh ministrash e zëvendësministrash.

Pas tejkalimit të ngërçit politik, Parlamenti Evropian këkron nëpëmjet këtij dokumenti që qeveria të ndërmarrë reformat e domosdoshme dhe të vazhdojë me rrugëtimin evropian. Kërkohen nga qeveria e re që në listë të prioriteteve të ketë përpjekjet në ndërtimin e sundimit të ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit dhe luftimit efikas të krimit dhe korrupsionit.

Në draft shprehet shqëtesimi për shkak të radikalizimit në rritje në Kosovë dhe shkuarjes së të rinjve në luftat në Siri dhe Irak. Ndërkohë, mirëpritet pjesëmarrja e Kosovës në luftën kundër terorizmit.

Votimi i sotëm në Komitetin për politikë të jashtme, u bë pas leximit të dytë që u mbajt të hënën në mbrëmje. Në kët formë drafti i rezolutës shkon në seancë plenare kur pritet të votohet në muajin mars dhe kur dokumenti shndërrohet në rezolutë të Parlamentit Evropian.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.