VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KTV - DY SHQIPTARË TË AKUZUAR PËR TERRORIZËM NË NORVEGJI

E Mërkurë, 02.25.2015, 10:54pm (GMT1)


Valon e Visar Avdyli, me prejardhje nga Kosova, po gjykohen në Oslo të Norvegjisë me akuzën për bashkim me organizatën islamike "Shteti Islamik" në gjykimin e parë të kësaj natyre në vend.

Bashkë me ta po gjykohet edhe Djibril Bashir, me prejardhje nga Somalia, derisa si i akuzuar i parë pohon se udhëtoi në Siri vetëm për të siguruar ndihmë humanitare, raporton KTV.

Valon Avdyli, bashkë me vëllanë e tij, Visarin, po ashtu akuzohen se kishin tentuar të dërgonin pajisje ushtarake në Siri për nevojat e vëllait të tretë, Egzonit, i cili tashmë u vra në Siri, në prill 2014. Egzon Avdyli për një kohë ishte zëdhënës i degës ekstremiste Ummah, në lindje të Norvegjisë.

Gjykimi ndërkaq është i pari i këtij lloji nën ligjin e ri, i cili garanton ndëshkim të atyre të cilët sigurojnë përkrahje ekonomike, materiale ose çfarëdo lloji tjetër për organizatat terroriste, transmeton Koha.net.

Për këto akuza të pandehurit mund të dënohen deri në 6 vjet burgim, derisa treshja i mohon akuzat. Autoritetet norvegjeze druajnë se dy të pandehurit kryesorë, të cilët u kthyen në Norvegji janarin e 2014-ës, do të kthehen në Siri ose do të kryejnë sulme në shtetin skandinav.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.