VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KOSOVË - INCIDENTET QË TENSIONOJNË VERIUN E Shtunë, 02.28.2015, 04:06pm (GMT1) Shpërthimi, i cili ka ndodhur të shtunën në Mitrovicën Veriore, pak pas orës 6 të mëngjesit, ka rezultuar me dëme materiale, por pa pasoja fizike në njerëz. Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë theksuar se shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një granatë dore. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se menjëherë pas shpërthimit, zyrtarët e policisë dhe ekipet e dominimit kanë dalë në vend të ngjarjes. "Rreth orës 6 e 10, në rrugën "˜Mbreti Pjetër' në Mitrovicë, ka ndodhur një shpërthim. Dyshohet të ketë qenë një granatë dore, me ç'rast janë dëmtuar 9 automjete dhe 11 lokale. Aty vërehen dëme të mëdha materiale, por nuk ka të lënduar në njerëz. Rasti është klasifikuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Të gjitha njësitet relevante policore, si dhe ekipet e deminimit kanë dalë në vendin e ngjarjes", ka thënë Hoxha. Hoxha ka shtuar se Policia e Kosovës po i zhvillon procedurat hetimore për zbardhjen e rastit, i cili është vlerësuar "shkaktim i rrezikut të përgjithshëm". Ndryshe nga vitet e mëparshme, në muajt e fundit, në Mitrovicën e veriut nuk ishin shënuar shpërthime. Por, shpërthimi i së shtunës, ka nxitur reagimin e njohësve të rrethanave të sigurisë në vend. Naim Maloku, ekspert për çështje të sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se incidenti i fundit në Mitrovicën e Veriut, nuk është befasues, madje as rezultati i incidentit, i cili, ka kaluar pa pasoja fatale për njerëz. Sipas tij, e gjithë kjo është në vazhdën e atyre angazhimeve dhe përpjekjeve destruktive të palës serbe që ta mbajnë në tension situatën në veri. "Është e ditur se janë shërbimet sekrete që e mbajnë të tensionuar situatën atje. Pala serbe është aty. Atë e dinë të gjithë, edhe faktori ndërkombëtar. Edhe ne e dimë, por edhe ata e dinë që ne e dimë. Asgjë këtu nuk është e re. Pra, mbahet situata e tensionuar aty. Ose, e kanë instrumentalizuar ndonjë grup radikal atje që përmes tij e mbajnë situatën e tensionuar atje", thotë Maloku. Maloku shton se të gjitha këto janë porosi se kinse nuk është bërë zgjidhja në veriun e Kosovës dhe se ata kërkojnë zgjidhje deri në përmbushjen e kërkesave maksimale që kanë serbët e veriut të Kosovës dhe vetë Serbia. "Këto janë veprime shtyse për ta prurë dialogun në atë përfundim që Asociacioni i komunave serbe të marrë kompetenca ekzekutive dhe të krijohet ajo "˜mini-Republika Serbe' në territorin e Kosovës. Ndoshta, me më pak kompetenca se sa që i ka "˜Republika Serbe', por në njëfarë formë ta krijojnë ata një shtet brenda Kosovës", thekson Maloku. Ndryshe, shpërthimi i së shtunës në Mitrovicën e veriut ka ndodhur para një lokali afarist, me ç'rast janë dëmtuar edhe xhamat e veturave dhe banesave në afërsi. Tash për tash, sipas zyrtarëve të policisë, ende nuk ka persona të dyshuar dhe nuk dihen motivet e shpërthimit në Mitrovicën e veriut. www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |