VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TOM DOSHI PËRJASHTOHET NGA GRUPI SOCIALIST - AKUZON METËN SE DESHI TA VRISTE

E Hënë, 03.02.2015, 04:06pm (GMT1)

 
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste përjashtoi sot nga radhët e tij deputetin e Shkodrës, Tom Doshi, transmeton TCH.

Pas një jave tensionesh në selinë e socialistëve për shkak të akuzave dhe paralajmërimeve të Doshit për të bërë publike fakte që, sipas tij, do të trondisinin mazhorancën, Grupi Socialist votoi këtë të hënë që Doshi të mos jetë më anëtar i këtij grupi.

Doshi nuk ka pritur fundin e mbledhjes dhe ka dalë jashtë sallës, ku ka dhënë edhe një deklaratë të fortë për media. Doshi deklaroi se pas vendimit për përjashtimin është kryetari i Parlamentit, Ilir Meta.

"Edi Rama sot ka një tutor që është Ilir Meta, i cili ka urdhëruar vrasjen time dhe të Mhill Fufit. Kam 5 muaj që ia kam bërë të qartë këtë gjë, jo vetëm Metës e Ramës, por edhe kryeprokurorit të përgjithshëm e prokurorit të krimeve të rënda. Këtë ia kam bërë të ditur edhe Senatit Amerikan. Personi që e ka marrë përsipër për ta kryer këtë akt është takuar me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Kam prova për këtë që them", u shpreh Doshi.

Më tej Doshi theksoi se edhe pas këtij zhvillimi nuk do të dalë nga politika. "Nuk shkoj të asnjë parti tjetër, por jam në gjendje që të krijoj parti të re, madje të dal me 60 kandidatë në të gjithë Shqipërinë", tha ai.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.