VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VJOSA OSMANI - JAM E GATSHME TË DREJTOJ LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

E Mërkurë, 03.04.2015, 08:18am (GMT1)


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka konfirmuar se është e gatshme të drejtojë partinë, nëse delegatët ia besojnë këtë pozitë.

Në një prononcim për emisionin "Info- Box" në Radio Dukagjini, ajo ka thënë se puna e parë që do të bëjë nëse merr drejtimin e partisë, është rishikimi i marrëveshjes me Partinë Demokratike të Kosovës, raporton portali "Koha.net".

"Secili anëtar i LDK-së i cili i injoron kërkesën e delegatëve, i cili i injoron kërkesën e elektoratit, besoj që nuk ia do të mirën partisë. Kështu që natyrisht unë do të pranoj çdo përgjegjësi të cilën ma kërkojnë anëtarësia e LDK-së",
ka thënë Osmani.

Ajo ka folur edhe për Presidentin e ri të vendit, duke thënë se kjo pozitë do të duhej t'i takonte, në të ardhmen, një personaliteti i cili është koncensual dhe i cili e nderon Kosovën përfaqëson interesim më të mirë të saj.

Mirëpo nuk ka harruar që t'i dërgojë edhe një porosi kreut të PDK-së, Hashim Thaçi. "Më e mira do të ishte që ai të mos konkurronte fare, pasi ka disponim mes deputetëve që Thaçi të mos votohet për president", ka shtuar Osmani.

Deputetja e LDK-së ka folur edhe për punën e Qeverisë, nën drejtimin e Isa Mustafës, duke theksuar se veprimi më i guximshëm që ka bërë kryeministri, ka qenë shkarkimi i ministrit të Pushtetit Lokal, Aleksandër Jabllanoviq.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.