VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ZËRI I AMERIKËS - PËRVJETORI I FILLIMIT TË BOMBARDIMEVE TË NATOs KUNDËR FORCAVE SERBE

E Martë, 03.24.2015, 11:48am (GMT1)



Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet për t'i dhënë fund luftës në Kosovë. Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e tyre të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë rreth 5 mijë trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe prania e kësaj force pritet të vazhdojë për një kohë të gjatë.

Shënimi i kësaj dite në Kosovë bëhet sipas përkatësisë etnike. Institucionet e Kosovës 24 marsin e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit. Ata thonë se kjo është një nga ditët më domethënëse dhe më kuptimplotë për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska.

Vlerësimet për 24 marsin ndërkaq janë krejt ndryshe tek komuniteti serb dhe zyrtarët e Beogradit të cilët gjatë të martës kanë organizuar shumë tubime përkujtimore për siç thuhet "viktimat e agresionit të NATO-s".

Gjashtëmbëdhjetë vjet më pas, Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Të mërkurën Kosova do të jetë mikpritëse e konferencës ministrore të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohen projektet ekonomike në rajon, veçanërisht investimet në infrastrukturë.

Takim i së mërkurës pason konferencën e Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit.

Komisionari i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë Evropian dhe Negocim të Zgjerimit, Johanes Han, pritet të marrë pjesë në konferencë, ku të pranishëm do të jenë ministrat e jashtëm dhe ata të infrastrukturës të vendeve të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.