Western Balkans 6 - SERBIA IMPONON QË TAKIMI NË PRISHTINË TË BËHET PA ASNJË SIMBOL SHTETËROR Serbia kushtëzon Kosovën që edhe në shtëpi të vet të paraqitet pa simbole
E Mërkurë, 03.25.2015, 08:38am (GMT+1)
Kosova është bërë gati për konferencën e së mërkurës "Western Balkans 6", ku pritet të marrin pjesë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ministria e Punëve të Jashtme, që këtë vit është nikoqire e takimit, insiston se kjo konferencë ministrore është vazhdimësi e asaj të nisur nga kancelarja gjermane vitin e kaluar, raporton KTV.
Në të pritet që vendet e rajonit të pajtohen për disa projekte infrastrukturore. Këto dokumente që dalin nga konferenca, pastaj do të bëhen zyrtare të BE-së, që gjithashtu financon projektet infrastrukturore.
Por KTV ka mësuar se Kosova ka mbetur shumë mbrapa me idetë për projektet që dëshiron të investojë dhe të gjitha janë vazhdimësi e projekteve të nisura nga Qeveria.
Burime të afërta me zhvillimet kanë treguar se Kosova nuk ka bërë as studim fizibiliteti për këto projekte. Krejt kjo nuk është bërë shkaku i krizës politike 6 mujore të vitit të kaluar.
Në takim vjen edhe delegacioni i Serbisë, i kryesuar nga ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq. Kjo dhe të tjera çështje, sipas MPJ-së, kanë ndikuar që takimi të mbahet pa asnjë simbol shtetëror dhe sipas sistemit të Gymnihut.
Nga e gjithë kjo situatë po vlerësohet se më së shumti pëson Kosova si shteti më i ri.
www.voal-online.ch
|