VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRISHTINË - MINISTRAT E BALLKANIT PERËNDIMOR DISKUTOJNË MARRËVESHJEN PËR TRANSPORT

E Mërkurë, 03.25.2015, 12:11pm (GMT1)


Zhvillimi i infrastrukturës së përbashkët rrugore dhe hekurudhore në rajon, që do të konkretizohej përmes arritjes së një marrëveshjeje ndër ministrore, ishte tema qendrore e debatit të zhvilluar në konferencën ministrore të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Prishtinë.

Nikoqiri i takimit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova është bërë tashmë një faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon.

Ai ka konfirmuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e bisedimeve dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve edhe me Serbinë fqinje.

Rritja e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, ka vijuar Thaçi, do t'i largojë paragjykimet që kanë ekzistuar në rajon.

Sa i përket Kosovës, ai ka përsëritur se Prishtina kërkon që të përmbyllë marrëveshjen e Stabilizim Asocimit këtë vit dhe njëherësh të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave.

Ndërkohë, një vëmendje e shtuar i është kushtuar fjalimit të Komisionerit të Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Negocim të Zgjerimit, Johanes Han.

Ai tha se vendet e rajonit do të mund të përfitojnë nga fondet evropiane nëse zhvillojnë projekte të përbashkëta të transportit rrugore dhe hekurudhor.

Mungesa e politikave të transportit do të çonte në izolim, kështu që vendet fqinje duhet t'i heqin këto barriera për të rritur bashkëpunimin, ka thënë ai.

Han u angazhua për krijimin e lidhjeve ndërmjet industrive të ndryshme, ngjashëm me modelet aplikuara në Bashkimin Evropian.

Përveç lidhjeve rrugore e hekurudhore, Ballkani Perëndimor duhet të krijojë edhe politika ndërlidhëse, ka thënë Han.

Zhvillimi i politikave të përbashkëta në transport dhe energjetikë nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndikojnë që të marrin edhe mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian, ka theksuar Han.

Në këtë konferencë, përveç përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Kosovës, po marrin pjesë ministrat e jashtëm nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Bosnja e Hercegovina.

Konferenca në Prishtinë pason atë të Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit. rel
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.