VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHEMBJE MASIVE NË RRUGËN E KOMBIT - NUK DIHET PËR VIKTIMA

E Premte, 03.27.2015, 08:19am (GMT1)


Shembje masive kanë ndodhur në Rrugën e Kombit, pikërisht në vendin e quajtur Ura e Leshnicës, në aksin rrugor Kukës-Fushë-Dukagjin.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën pak para mesnatës, ku një masiv i madh gurësh që ka rënë nga skarpatet me rreth 80-100 metra lartësi ka bllokuar një sipërfaqe prej rreth 50 metrash të rrugës në tri korsitë e saj. Ndërkohë që ende nuk është e sigurt se kjo shembje të ketë kaluar pa viktima, pasi sipërfaqja e inerteve është me mijëra metra kub, kështu që nëse ndonjë automjet ka kaluar në kohën që ka ndodhur shembja, me siguri ai gjendet nën rrënoja.

Policia e Kukësit, që ka shkuar e para në vendin e ngjarjes, thotë se pastrimi i plotë i gurëve dhe i inerteve do të bëjë të qartë nëse janë regjistruar ose jo viktima.

Shembja e gurëve ka vazhduar për një periudhë 20-30 minuta, duke bllokuar qarkullimin në këtë segment rrugor deri në mëngjesin e së enjtes. Gjatë natës qarkullimi është realizuar përmes rrugës së vjetër Kolsh-Fushë-Dukagjin./Express
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.