VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
SHQIPËRI - EKSPORTET SHËNOJNË RËNIE ME 12 PËR QIND Edhe vitin e kaluar eksportet e këtij vendi u tkurrën ndjeshëm E Martë, 03.31.2015, 07:55am (GMT1) Eksportet pësuan rënie gjatë muajit shkurt me mbi 12 për qind ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se eksportet kanë nisur me luhatje këtë vit, duke vuajtur në një masë të madhe rënien e çmimeve të lëndëve të parat në tregjet e huaja. Për dy muajt e parë të vitit, eksportet kishin vlerën 35.6 miliardë lekë, në rënie me afro 7 për qind ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2014. Grupi "Minerale, lëndë djegëse, energji", që në vitet e fundit ka udhëhequr eksportet shqiptare, këtë vit paraqitet në rënie të ndjeshme. Eksportet e këtij grupi kanë prekur vlerën e 7.8 miliardë lekëve, nga 13 miliardë lekë që ishin një vit më parë. Rritja vazhdon të mbështetet kryesisht nga fasonet, ku grupi "Tekstile dhe këpucë" eksportoi produkte në vlerën e 14.5 miliardë lekëve, në rritje të lehtë me 3.5 për qind krahasuar me një vit më parë. Viti 2015 ka nisur i vakët edhe në krahun e importeve. Për Shkurtin, importet ranë me 1.1 për qind ndaj të njëjtit muaj të vitit të kaluar, ndërsa për dymujorin, rënia ishte rreth 1.5 për qind. Rënia e konsiderueshme e eksporteve ka shkaktuar një zgjerim të deficitit tregtar me rreth 7 për qind, krahasuar me dymujorin e parë të vitit 2014. Zhvillimet në tregtinë e jashtme paraqiten sfiduese për ekonominë shqiptare, pasi vitin e kaluar rritja e eksporteve u tkurr ndjeshëm. Kontributi i sektorit të jashtëm në ekonomi pritet të jetë më i ulët, çka e bën edhe më të domosdoshme përtëritjen e shpejtë të kërkesës së brendshme, për të siguruar një rritje ekonomike më të lartë se vitet e fundit. www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |