VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ISH DREJTUESJA E INTERPOL TIRANËS LORETA ALLA KA FSHEHUR KËRKESËN E INTERPOLIT PREJ 23 MARSIT 2012

E Martë, 03.31.2015, 11:18am (GMT1)


                DRITAN LAMAJ

Nga ana tjetër, po për çështjen "Frroku" është arrestuar ish-shefja e Interpol-Tiranës, Loreta Alla, e cila aktualisht mbante funksionin e specialistes në të njëjtën strukturë. Sipas të dhënave, ajo ka pasur drejtimin e Interpolit në kohën kur kryekomisari i ndjerë, Dritan Lamaj, i ishte drejtuar me kërkesë kësaj strukture për të verifikuar statusin e Mark dhe Arben Frrokut, pasi kishte informacione se ata ishin dënuar në Bruksel për vrasje.

Bëhet fjalë për shkresën e dërguar më 23 mars të vitit 2012, rreth një vit para se Lamaj të ekzekutohej në pritë, vrasje për të cilën akuzohet Arben Frroku, vëllai i deputetit Mark Frroku. Kjo shkresë u publikua ekskluzivisht nga gazeta Shqip më 1 mars të vitit 2013, para se Frroku të bëhej deputet, por prokuroria heshti në atë kohë përballë këtij denoncimi. Madje, edhe policia, e irrituar, tentoi ta mohonte, duke pretenduar se një shkresë e tillë nuk kishte mbërritur asnjëherë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Pavarësisht këtyre deklaratave, Shqip vazhdoi me denoncimin e skandalit, duke publikuar edhe shkresën e kthimit të përgjigjes, ku thuhej se "pas verifikimit të Interpol-Tiranës rezulton se vëllezërit Frroku nuk ishin të implikuar në ndonjë vrasje në Bruksel", megjithëse tashmë dihet se ka rezultuar e kundërta. Pikërisht në këto verifikime të rreme mendohet se është përfshirë Alla, e cila tashmë duhet të përgjigjet përballë prokurorisë. Por, në fshehjen e informacioneve të tilla mendohet se janë përfshirë edhe ish-drejtues apo drejtues të tjerë të policisë, të cilët mund të duhet të përballen me drejtësinë në ditët në vijim.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.