VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOSOVË - NJË I PLAGOSUR NË VERI
Policia po heton rrethanat e plagosjes së një të riu të përkatësisë kombëtare serbe në Mitrovicë


E Premte, 04.10.2015, 02:49pm (GMT1)



Në Kosovë, autoritetet e policisë thanë se janë duke hetuar rrethanat në të cilat një i ri i komunitetit serb u plagos në një incident të pasqaruar, në veri të Mitrovicës.

Policia tha se nuk dihen autorët e as motivet e mundshme të incidentit dhe se aktualisht po mblidhen dëshmitë nga dëshmitarët e rastit dhe nga kamerat e sigurisë. Incidenti, thuhet se ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

Autoritetet lokale serbe thanë se disa persona e kanë kaluar urën qëndrore mbi lumin Ibër nga pjesa jugore në atë veriore dhe e kanë kryer sulmin. I plagosuri po trajtohet në spitalin e qytetit në veri dhe është jashtë rrezikut për jetë

Drejtoria rajonale e policisë në veriun e Kosovës, bëri të ditur se janë pezulluar tre policë që ishin në detyrë në kohën kur ka ndodhur incidenti dhe tashmë po hetohen "përgjegjësia e mundshme dhe lëshimet e tyre".

Incidenti u dënua nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar. Në një komunikatë të zyrës së tij, thuhet se "dhuna është e papranueshme dhe i dëmton përpjekjet për normalizimin e gjendjes në Mitrovicë dhe pajtimin mes komuniteteve". Ai bën thirrje për vetëpërmbajtje nga të dyja palët dhe kërkon nga autoritetet përgjegjëse që të bëjnë të pamundurën për ndriçimin e incidentit dhë vënien e autorëve para drejtësisë. za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.