VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PËRLESHJE NË VERI TË MITROVICËS - DY TË PLAGOSUR

E Hënë, 04.13.2015, 09:06am (GMT1)


Një përleshje mes disa personave, me ç'rast dy nga ta kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, ka ndodhur sot pas mesnate në lokalin "˜Crna Dama' në veri të Mitrovicës.

Personat e përfshirë në këtë përleshje, kanë sulmuar me armë po ashtu edhe një automjet të policisë, por për fat të mirë nuk ka policë të lënduar.

"Një festë e organizuar për pashkët ortodokse nga krerët e krimit në veri, ka rezultuar me përleshje dhe të shtëna armësh, fillimisht para lokalit Crna Dama dhe pastaj e manifestuar edhe nëpër rrugët e qytetit, me ç'rast dy persona janë plagosur. Është sulmuar po ashtu edhe automjeti i policisë, ndërsa me armë dyshohet të ketë shtënë Vuk Joviq, djali i njërit nga krerët e krimit në veri, Sllavoljub Joviq, i njohur me nofkën Pagi. Në mesin e pjesëmarrësve në këtë aheng kanë qenë edhe njerëz me ndikim nga nëntoka si Zvonko Veselinoviq, i shoqëruar nga Millan Radojqiq. Këta të fundit bile kanë organizuar që mysafirët e mbrëmshëm t'i argëtojë këngëtari i njohur beogradas, Aleksa Radenkoviq, kanë thënë burime të kp-së.

Zëvendës drejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka pranuar se mbrëmë rreth orës 01:20 ka ndodhur një rrahje në veri të Mitrovicës, ku janë përdorur edhe armët e zjarrit.

"Dy të rinj janë plagosur lehtë në këmbë dhe janë trajtuar në spitalin e veriut. Dyshohet se rrahja ka ndodhur në mes të dy grupeve të rinjsh nga Mitrovica dhe Zveqani, të cilët me gjasë kanë qenë nën ndikim të alkoolit, ndërsa akoma nuk dihen motivet", ka thënë Hoti.

Ai pranoi se në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dy gëzhoja dhe një plumb të plotë, ndërsa ka mohuar prezencën e krerëve të krimit në lokalin, ku ka ndodhë incidenti.

"Emrat e të dyshuarve të përfshirë në këtë incident janë të njohur për policinë dhe kjo e fundit është duke zhvilluar hetime intensive për kapjen e tyre dhe zbardhjen e rastit në tërësi", theksoi Hoti.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.