VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

U PËRKUJTUA SOT MASAKRA MË E MADHE NË MITROVICË

E Martë, 04.14.2015, 03:39pm (GMT1)

 
Nuk ndjehet e qetë derisa të kapen gjithë kriminelët që kryen krimin mbi familjarët e saj dhe gjithë të tjerët më 14 prill të vitit 1999 në rrugën e "Kovaçëve" në Mitrovicë.

Florije Peci, e cila kishte humbur vëllain dhe djalin e axhës, ka përkujtuar ditën e tmerrshme kur kriminelët serbë që udhëhiqeshin nga Oliver Ivanoviq, ekzekutuan 31 shqiptarë në rrugën ku u krye masakra më e madhe në Mitrovicë.

"Datën e kobshme të 14 prillit 1999, forcat serbe na dëbuan me dhunë nga shtëpitë tona duke i ndarë meshkujt, kryesisht të gjithë. I kanë shtrirë përtokë në pjesën tjetër të rrugës, normal që kanë qenë edhe ofshamet dhe dëneset tona të cilat janë imituar me onomatopetë e tyre, me mjaullima me lehje qysh edhe na kanë trajtuar. Pastaj kemi vazhduar rrugën dhe vetëm kemi dëgjuar krismat. Deri pas çlirimit nuk e kemi ditur nëse janë të vrarë, kemi pasur informata të ndryshme se qëndrojnë nëpër burgje të ndryshme në Nish, nëpër aeroporte, mirëpo ato ishin vetëm fjalë të kota, sepse ne mbetëm pa ta", citon KP pohimet e Pecit.

Ajo bëri të ditur për KosovaPress se ka qenë njëra nga dëshmitaret e cila u përballë me Oliver Ivanoviqin para disa ditësh në gjykatë, ndërsa ka uruar që të fitojë drejtësia dhe kriminelët të gjithë të burgosen.

Në kujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, te pllaka e ngritur në vendin e krimit, buqeta lulesh ka vendosur të martën edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri me bashkëpunëtorë.
"Ne si institucione kemi ngritur zërin çdo herë që drejtësia të triumfojë. Ju e dini që për këtë rast njerëzit janë në paraburgim dhe janë duke mbajtur gjyqin, dhe ne do t'i japim të gjitha mundësitë që njerëzit të deklarohen si dëshmitarë për t'i gjykuar të gjithë ata të cilët janë marrë me këto krime. Kështu që në emër të institucioneve çdo njeri që ka bërë krime e dënoj, dhe shpresoj se drejtësia do të fitojë dhe njerëzit të marrin dënimin e merituar."

Në anën tjetër, njeriu që është përballur me të gjithë ata që bënë krime në Mitrovicë dhe i cili ka hetuar dhe ka mbledhur, vazhdon të mbledhë akoma dëshmi për të gjithë kriminelët, Halit Barani, njëherit kryetar i Qendrës Rajonale të KMDLNJ në Mitrovicë, tha se masakrën ndaj 31 personave në këtë vend e ka kryer grupi i ashtuquajtur "frenkovci" të cilëve u ka prirë Oliver Ivanoviq, Smiq dhe të tjerët.

Sipas tij, në bazë të librit të shkruar nga Nikolla Paçarizi, më 15 prill 1999 drejtori i shkollës "Meto Bajraktari", i cili ka qenë serb, është dashur të shkel mbi kufoma në këtë vend për të hyrë në shkollë, sepse e tërë rruga ka qenë e stërmbushur me të vrarë shqiptarë.

Ai ka potencuar se institucionet shtetërore, por edhe gjyqësia, nuk kanë bërë asgjë deri sot në zbardhjen e autorëve të masakrave në qytetin e Mitrovicës.

"Institucionet shtetërore dhe gjyqësia e Kosovës deri sot nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim, jo vetëm për këtë masakër, sepse në Mitrovicë janë kryer gjithsej nëntë masakra, por për asnjë masakër që është kryer në Mitrovicë nuk kanë bërë asgjë as institucionet shtetërore dhe as gjyqësia e Kosovës, të paktën deri më sot. Dhashtë Zoti që sot e pas t'ju bjerë në mend dhe të fillojnë të punojnë", theksoi mes tjerash Barani.



www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.