VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË BULQIZË BIEN ZJARRE - DIGJEN DHJETËRA HEKTARË PYJE

E Mërkurë, 04.22.2015, 05:15pm (GMT1)


Disa vatra të reja zjarri të fuqishëm janë shfaqur gjatë ditës së mërkurë në malin Vlashë, të komunës Shupenzë dhe në Kodër Zall Sopot të komunës Zerqan, në Bulqizë, duke e çuar kështu në 3 numrin e vatrave aktive.

Zjarri, i ndihmuar nga temperaturat e larta dhe era, është përhapur me shpejtësi në gjithë shpatin e malit, duke përfshirë dhjetëra hektarë pyje dhe pisha të reja.

Sipas burimeve nga vendngjarja, zjarri është konstatuar nga banorët e fshatit Vlashë dhe ata të komunës Zerqan, të cilët janë alarmuar pasi u janë rrezikuar shtëpitë që ndodhen vetëm 200-300 metra larg.

Ndërkohë, për shuarjen e zjarrit janë angazhuar vetë banorët e zonave, pasi zjarrfikësja e vetme që ka në dispozicion rrethi i Bulqizës e ka patur të pamundur ndërhyrjen për shkak të terrenit të vështirë malor dhe kodrinor.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë së Bulqizës që po u ofrojnë ndihmë banorëve, ndërsa kanë nisur edhe hetimet për të dyja rastet e rënies së zjarrit.

Sipas policisë, rastet dyshohet të jenë zjarrvënie të qëllimshme, por nuk përjashtohet as mundësia e pakujdesisë së ndonjë bariu që kullot bagetitë në këtë territor.

Ndërkohë, policia dhe shërbimi pyjor i rrethit të Bulqizës u kanë brë thirrje banorëve që të kenë kujdes që të mos përdorin lëndë ndezëse në këto zona, pasi një pakujdesi e vogël e tyre mund të bëhet shkak për zjarrvënie.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.