PËR SHQIPTARËT KA DY RRUGË - OSE TA PRANOJNË GJENDJEN E TANISHME, OSE TË MARRIN FATIN NË DUART E TYRE Nga ELEZ BIBERAJ, Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë, Zëri i Amerikës
E Djelë, 04.26.2015, 07:43am (GMT+1)
Ju
falënderoj nga zemra që më ftuat të marr pjesë në këtë konferencë të
rëndësishme. Ju falenderoj gjithashtu për prezantimin bujar që më bëtë.
Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në shoqërinë e personaliteteve të
njohura dhe të miqve e kolegëve. Për mua është nder i veçantë të jem
këtu në një ngjarje të jashtëzakonshme 25 vjetorin e tranzicionit të
Shqipërisë nga një shtet diktatorial, njëpartiak, në një sistem
demokratik shumëpartiak.
Është e natyrshme që njëzet e pesë vjet
pas rënies së komunizmit t'i hedhim një sy rrugëtimit demokratik të
Shqipërisë për të parë sukseset dhe vështirësitë me të cilat ajo është
përballur. Do të përpiqem të bëj një pasqyrë të arritjeve të Shqipërisë
gjatë çerek shekullit të shkuar si dhe të flas për sfidat me të cilat
ajo ndeshet tani dhe në të ardhmen e afërt për konsolidimin e plotë të
demokracisë. Kjo analizë bëhet nga këndvështrimi i një vëzhguesi të
jashtëm, por thellësisht të interesuar në përparimin e Shqipërisë dhe të
kombit shqiptar.
Gjithmonë jam ndier jashtëzakonisht me fat dhe
shumë mirënjohës për mundësinë që Zëri i Amerikës më ka dhënë për të
ndjekur nga afër zhvillimet në atdheun tim. Zëri i Amerikës ka qenë i
lidhur ngushtë me zhvillimet në Shqipëri, duke qenë një prani e
vazhdueshme në periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë pas
Luftës së Dytë Botërore. Periudha më e paharruar e mbulimit nga Zëri i
Amerikës të çështjeve shqiptare ka qenë ajo pas vdekjes së Enver Hoxhës,
dhe më konkretisht ngjarjet dramatike të vitit 1990. Zëri i Amerikës iu
kundërvu propogandës së regjimit duke thyer mitet e tij dhe duke
theksuar se sundimi komunist i kishte shtypur aspiratat e shqiptarëve
për të ndërtuar një vend modern, të bazuar në pluralizmin politik dhe
ekonominë e tregut. Kështu, Zëri i Amerikës shërbeu si një forcë
ndikuese e jashtme dhe një faktor ndryshimi, duke sfiduar me sukses
monopolin e regjimit mbi lajmet dhe informacionin. Ai u bë një
mbështetje për mendimin opozitar dhe nxitës i idealeve të një shoqërie
të lirë, pluraliste dhe demokratike. Megjithatë, Zëri i Amerikës ishte
vetëm një nga faktorët e shumtë të brendshëm e të jashtëm që së bashku
kontribuan në rrëzimin e komunizmit.
Rënia e sistemit komunist të
Shqipërisë çliroi një vrull demokratik dhe çoi në krijimin e një
peizazhi politik të larmishëm dhe dinamik. Me mbështetjen e rëndësishme
politike dhe financiare të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimi
Evropian, Shqipëria hyri në rrugën e reformave të shpejta politike dhe
social-ekonomike, siç ishin: rimëkëmbja e rendit kushtetues; ngritja e
një sistemi të ri qeverisjeje, me tre degë të pavarura pushteti, krijimi
i masave mbrojtëse për të drejtat dhe liritë themelore dhe reforma e
gjyqësorit. Gjithashtu, Shqipëria e riintegroi veten në komunitetin
ndërkombëtar, duke ndjekur një kurs të qartë pro-perëndimor dhe duke
zhvilluar lidhje të ngushta politike dhe ushtarake me Shtetet e
Bashkuara dhe NATO-n. Një varg reformash të shpejta u pasua nga
çrregullime shoqërore dhe nga një rënie e institucioneve në vitin 1997,
që për pak sa nuk e ktheu Shqipërinë në një shtet të dështuar. Kriza
solli si pasojë një fragmentim politik dhe një gërryerje dramatike të
pushtetit shtetëror. Megjithatë, Shqipëria e mori veten nga kriza e
skemave piramidale brenda një periudhe relativisht të shkurtër dhe
vazhdoi programin e reformës, duke bërë përparim në shumë fronte. Ajo
është tani anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin
Evropian. Rëndësia e saj në nivel rajonal është rritur ndjeshëm.
Shqipëria
e ka kapërcyer tashmë fazën e tranzicionit. Njëzet e pesë vjet pas
rënies së komunizmit, mendoj se përdorimi i termave "tranzicion" dhe
"pas-komunist" është tashmë i debatueshëm dhe pa ndonjë vlerë analitike.
Një vend, i cili ka mbajtur tetë zgjedhje parlamentare që nga viti
1991, me rotacion pushteti mes dy partive më të mëdha politike, që është
anëtar i plotë i NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian, nuk
mund të klasifikohet si "vend në tranzicion" ose si vend "pas-komunist." Pyetja
është se çfarë lloji regjimi është krijuar në Shqipëri? A i kanë
arritur shqiptarët plotësisht aspiratat e tyre demokratike? Dhe, a është
sistemi i tanishëm apo niveli i tanishëm i demokracisë forma më e lartë
e një rendi demokratik që mund të arrijnë shqiptarët?
Zhvillimet
në Shqipëri gjatë çerek shekullit të fundit duhet të shihen brenda
kontekstit më të gjerë rajonal, evropiano-lindor. Tranzicioni politik i
Evropës Lindore ka krijuar disa lloje regjimesh: demokraci të plota,
hibride dhe regjime autoritare. Vendet baltike, vendet e Evropës
Qendrore dhe Lindore si dhe dy ish-republikat jugosllave, Sllovenia dhe
Kroacia, kanë pasur një tranzicion relativisht të shpejtë dhe të
suksesshëm dhe kanë arritur në një masë të madhe konsolidimin e rendit
të tyre demokratik. Shqipëria, nga ana tjetër, ka mbetur dukshëm
prapa, dhe kalimi i saj drejt demokracisë ka qenë i ngadalshëm dhe me më
shumë sfida. Shqipëria është pjesë e një kategorie vendesh
ish-komuniste, si Armenia, Bosnja, Gjeorgjia dhe Mali i Zi, që kanë
deficite demokratike dhe mund të klasifikohen si "regjime hibride."
Mëgjithëse "regjimet hibride" qëndrojnë më lart në treguesit e
demokracisë sesa regjimet "autoritare," të tilla si Rusia apo republikat
e tjera ish-sovjetike, ato karakterizohen nga struktura politike
gjysmë-demokratike; nga zgjedhje që jo gjithmonë përputhen plotësisht me
standardet ndërkombëtare për votimet e lira, transparente dhe të
besueshme; nga mosmarrëveshje të zgjatura pas-zgjedhore; nga mungesa e
sundimit të ligjit; nga një sistem qeverisjeje ku tre degët e pushtetit,
ekzekutivi, legjislativi dhe gjyësori nuk funksiojnë si duhet; nga
korrupsioni i përhapur; nga një shoqëri e dobët civile dhe nga qeveri,
që në masë të madhe nuk janë të përgjegjshme ndaj qytetarëve.
Ritmi
i ngadaltë i demokratizimit të Shqipërisë ka qenë pasojë faktorësh të
lidhur me njëri-tjetrin, që shkojnë përtej natyrës totalitare të
regjimit të Hoxhës dhe mungesës së një tradite demokratike. Ata
përfshijnë një mori elementësh politikë, shoqërorë dhe ekonomikë. Këto
pengesa, së bashku me dështimin e përgjithshëm të elitave politike për
të thelluar institucionet demokratike, për të siguruar një qeverisje të
efektshme dhe për të sjellë rritje më të madhe ekonomike, kanë rënduar
ndjeshëm mbi demokracinë shqiptare.
Këtu nuk është as koha e as
vendi për të hyrë në hollësi, por më lejoni të përmend vetëm disa
faktorë që vazhdojnë ta pengojnë demokratizimin e Shqipërisë.
Vazhdimësia në pushtet e elitës së vjetër ka ndikuar negativisht në
përparimin demokratik të vendit. Shumë njerëz në poste drejtuese kanë
qenë pjesë e nomenklaturës komuniste që bënë një kalim të butë në
sistemin pas-komunist. Këto elita në përgjithësi nuk shfaqën pikëpamje
demokratike për natyrën e politikës. Ata e treguan veten si politikanë
të dobët me prirjen për të mos e vlerësuar si duhet kompromisin në
qeverisjen demokratike. Ndërsa premtonin se do t'u përmbaheshin idealeve
demokratike, me të ardhur në pushtet udhëheqësit politikë bënin
përpjekje për të kontrolluar të gjitha levat e pushtetit, për të
imponuar kontroll mbi median e biznesin dhe për të përçarë e izoluar
kundërshtarët e brendshëm si dhe opozitën. Elitat në Shqipëri kanë
treguar prirjen e shkatërrimit të kundërshtarit, shpesh duke përdorur
një retorikë tepër konfrontuese, akuzuese, populiste dhe arrogante. Pak
prej udhëheqësve të lartë mund të shihen si model për pjesën tjetër të
shoqërisë.
Politika shqiptare mbetet e bllokuar dhe thellësisht
jofunksionale. Në thelb, ajo ka degjeneruar në një luftë për pushtet
midis dy partive më të mëdha politike të vendit, ndonëse ato nuk ofrojnë
më alternativa të dallueshme nga njëra-tjetra. Ndryshimet kushtetuese
dhe të kodit zgjedhor në vitet 2008-2009 sollën përqendrimin e pushtetit
te krerët e partive, duke çuar në një degradim të rëndësishëm të
demokracisë brenda partive. Udhëheqësit e partive kontrollojnë dhe
përcaktojnë listën e kandidatëve, çka u dëshmua edhe në procesin e
tanishëm të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore të
qershorit. Ata reklamojnë ose instalojnë në pozita të larta njerëz
personalisht besnikë ndaj tyre. Anëtarët e parlamentit mbështesin fort
pozitat e udhëheqësve të tyre dhe në të gjithë spektrin rrallë shikon
politikanë që të marrin qendrime të pavarura. Korrupsioni ka
depërtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë. Pasuria
dhe qasja ndaj pushtetit janë përqendruar në duart e një grupi të vogël,
ndërsa pjesë të konsiderueshme të popullsisë ende jetojnë në varfëri.
Kjo gjendje ka krijuar pakënaqësi të gjerë dhe është politikisht
destabilizuese. Ekziston perceptimi i përhapur se të gjithë janë të
korruptuar. Ky sigurisht është një thjeshtëzim i tepruar, por shpesh
perceptimet mund të jenë po aq të rëndësishme sa realiteti.
Shkelja
e ligjit si dukuri e përhapur është bërë pengesë mjaft serioze për
qeverisjen e mirë dhe për një shpërndarje të drejtë të burimeve të
vendit. Vetë institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të
luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur sundimin e ligjit zyrtarët
qeveritarë dhe politikanët, parlamenti, partitë politike, gjykatat,
gjyqtarët, prokurorët dhe policia e kanë minuar luftën kundër
korrupsionit.
Megjithëse sfidat e tanishme nuk duhet të errësojnë
përparimin që ka bërë Shqipëria në çerek shekullin e kaluar, realiteti
dëshmon gjithnjë e më shumë se shqiptarët nuk janë të kënaqur me nivelin
e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik që ka arritur vendi.
Pyetja
tani është: a do të mbijetojë sistemi i tanishëm, apo do të evoluojë ai
në një regjim më pak ose më shumë demokratik? Duke pasur parasysh
sfidat e shumta të brendshme me të cilat përballet Shqipëria, prirjen
globale dhe rajonale të rrëshqitjes së demokracisë dhe forcimin e
alternatives autoritare, a ka të ngjarë që Shqipëria të shohë një
përkeqësim në ecurinë e saj demokratike?
Në të ardhmen e afërt,
shanset për një ndryshim të shpejtë dhe të madh politik duken të vogla.
Duket qartë, dhe këtë e them me dhimbje, se elitat e tanishme nuk kanë
gjasa ta ndryshojnë me themel kulturen politike, stilin e qeverisjes dhe
mënyren se si e trajtojnë njeri tjetrin. Ato janë ngurosur në qëndrimet
e tyre dhe politika në Shqipëri mbetet tepër informale dhe personale.
Ritmi i demokratizimit përgjithësisht e ka humbur vrullin, duke çuar në
një gjendje politike të sëmurë dhe në një përparim me hope të zhvillimit
demokratik. Ndërsa në fazën fillestare ekzistonte vullneti politik dhe
oreksi për reforma radikale, tani duket se ka një mungesë vullneti për
të kaluar në një nivel më të lartë të reformave të thella. Nuk ka shenja
se udhëheqësit shqiptarë janë duke kërkuar rrugë për të hequr dorë nga
marrëdhëniet mbi bazë përçmimi midis koalicionit qeverisës dhe opozitës,
për t'u angazhuar në një debat gjithëpërfshirës dhe për të arritur një
konsensus kombëtar në çështjet kryesore, që do ta bënte më të lehtë
realizimin e ndryshimeve politike të rëndësishme, thellimin e
demokracisë dhe përmirësimin e qeverisjes.
Zgjedhjet parlamentare
të vitit 2013 u panë gjerësisht si një ndryshim i rëndësishëm.
Megjithatë, vendi rrëshqiti shpejt në stilin e vjetër të politikës
konfliktuale. Bllokimi i tejzgjatur politik, rritja e ngadaltë
ekonomike, shtimi i sfidave shoqërore dhe një seri skandalesh
korrupsioni e kanë dëmtuar rëndë qeverisjen.
Bashkësia
ndërkombëtare ka investuar mjaft në procesin e demokratizimit të
Shqipërisë. Por komuniteti ndërkombëtar po tregohet gjithnjë e më pak i
prirur të përdorë levat e rëndësishme që ka për të ndikuar tek udhëheqja
shqiptare, pasi siç duket ka krijuar bindjen se situata në Shqipëri
ndryshon tepër ngadalë. Kjo përforcon mendimin se Bashkimi Evropian nuk
ka gjasa ta pranojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt, duke patur
parasysh problemet e saj politike dhe institucionet e korruptuara. Prandaj,
ndryshimi i vërtetë do të duhet të arrihet nga brenda. Që të realizohen
reforma radikale, do të ishte e nevojshme një shkundje në themel e
sistemit të tanishëm. Por, megjithë pakënaqësitë në rritje ndaj gjendjes
politike dhe ekonomike, nga poshtë vërehet pak trysni që do t'i
detyronte politikanët shqiptarë të ndryshonin rrënjësisht kursin.
Shoqëria civile është tepër e dobët për të ndërgjegjësuar elitat që ato
të marrin masa serioze për t'i dhënë fund praktikës së dëmshme të
kontenstimit të vazhdueshëm të zgjedhjeve, mosmarrëveshjeve të
tejzgjatura dhe bojkoteve. Në të njëjtën kohë, edhe shoqëria në
përgjithësi duket se i toleron politikat e gabuara të politikanëve,
dritë-shkurtësinë e tyre, përplasjet jo parimore midis partisë në
pushtet dhe opozitës, grykësinë dhe korrupsionin.
Nëse këto
prirje negative vazhdojnë, më e mira që Shqipëria mund të presë në të
ardhmen e afërt do të ishte një ecje e vështirë, herë pak më shpejt e
herë pak më ngadalë. Por një status quo e tillë do të vononte integrimin
e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të rëndonte problemet e
brendshme dhe do të inkurajonte qeverisjen e keqe. Polarizimi përçarës
dhe marrëdhëniet helmuese që karakterizojnë politikën shqiptare mund të
çojnë në rrëshitjen prapa të demokracisë dhe në një humbje graduale të
përparimit që ka bërë vendi. Korrupsioni i thellë, krimi i organizuar
dhe kultura e mosndëshkimit paraqesin një kërcënim qenësor për
demokracinë në Shqipëri. Disa njerëz madje mund të joshen për t'i vënë
në dyshim vlerat dhe normat demokratike dhe për t'i parë sistemet më pak
demokratike apo autoritare si alternativa që funksionojnë.
Kjo
na bën të shtrojmë disa pyetje provokative: A janë shqiptarët të aftë
për të sfiduar me vepra tezën e përhapur se "ky vend nuk bëhet?" A e
kanë shqiptarët aftësinë dhe vullnetin politik për të arritur një nivel
më të lartë pjekurie demokratike dhe për të zbatuar reforma themelore që
do ta shtynin vendin drejt një demokracie të plotë? Megjithëse
problemet me të cilat ndeshen sot shqiptarët janë mjaft serioze,
ekzistojnë disa faktorë që, në një vështrim më afatgjatë e theksoj: më
afatgjatë mund të nxisin një demokratizim të qëndrueshëm.
Shqiptarët
nuk ka të ngjarë ta pranojnë vazhdimin e gjendjes së tanishme. Ekziston
një pakënaqësi e përhapur ndaj statukuosë, sidomos mes të rinjve, e
cila mund të çojë në kërkesa gjithnjë e në rritje për udhëheqës më të
përgjegjshëm, të cilët të përqendrohen te respektimi i institucioneve
dhe ligjeve, te zhvillimi ekonomik dhe që të kenë aftësinë të punojnë në
të mirë të publikut.
Shqipëria ka një brez të ri dinamik dhe të
edukuar, që priret të mendojë në një kontekst perëndimor e demokratik
dhe që është gati të zerë pozita me ndikim në shoqëri. Dalja eventuale e
një brezi të ri udhëheqësish politikë dhe ekonomikë është një faktor
premtues. Si rrjedhojë e ndikimit të globalizimit, inovacionit
teknologjik dhe studimeve jashtë vendit, shumë të rinj shqiptarë kanë
ide të reja dhe një vizion të ri për të ardhmen e vendit. Gjithashtu,
klasa e mesme në rritje me sipërmarrësit e saj inteligjentë dhe mjaft të
motivuar, ka të ngjarë të kërkojë transparencë dhe përgjegjshmëri më të
madhe nga ana e zyrtarëve dhe e politikanëve.
Ndonëse Shqipëria
ka dëshmuar rritje ekonomike këtë vit prodhimi i përgjithshëm bruto
mund të rritet 3 për qind ajo nuk ka përjetuar një zhvillim të
rëndësishëm ekonomik. Hendeku mes atyre që qeverisin dhe atyre që
qeverisen është mjaft i madh. Shumë qytetarë e ndjenë veten të
papërfaqësuar, dhe pikërisht ata mund të kërkojnë të kenë një zë në të
ardhmen e vendit dhe të ndikojnë në vendimet politike që lidhen me
interesat e tyre jetike.
Perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin
Evropian vazhdon të shërbejë si një shtysë e fortë për të zbatuar
reformat e nevojshme. Shqiptarët nuk mund ta humbasin një rast të tillë
dhe elektorati nuk do t'i falte politikanët, në qoftë se ata e humbasin.
Për shumicën e shqiptarëve, nuk ka alternativë tjetër në rrugën e tyre
demokratike, evropiane. Zhvillimet në Shqipëri janë me rëndësi dhe
mund të kenë ndikim në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ndërsa sistemi i
tanishëm nuk ka gjasa të pranohet nga shqiptarët si caku përfundimtar i
demokracisë, Shqipërisë do t'i duhet një korrigjim themelor i kursit për
t'u bërë demokraci plotësisht e konsoliduar. Shqipëria ka nevojë për
udhëheqës të aftë dhe me vizion për ta çuar vendin përpara. Por që kjo
të realizohet, udhëheqësit e saj duhet të marrin masa serioze për të
çrrënjosur korrupsionin, për të krijuar besimin e publikut te shteti dhe
institucionet e tij, për të siguruar qeverisjen e mirë, për të nxitur
përgjegjshmërinë ndaj të gjithë qytetarëve dhe për të shtyrë përpara
zhvillimin ekonomik, që do të çonte në rritje të mundësive dhe në një
standard më të lartë jetese. Kjo është një detyrë e vështirë dhe këto
objektiva nuk arrihen lehtë.
Shqipëria po përjeton një kohë
sfidash dhe mundësish të veçanta. Për shqiptarët ka dy rrugë: ose të
pranojnë gjendjen e tanishme dhe t'i nënshtrohen fatit, ose të kapin
momentin, të shfrytëzojnë arritjet e rëndësishme të çerek shekullit të
fundit, të rifitojnë vrullin demokratik, dhe ta kthejnë në realitet
vizionin e tyre demokratik. Ju faleminderit! -- Shkrimi është fjala kryesore në Konferencën mbi 25 vjetorin e tranzicionit në Shqipëri Universiteti Europian i Tiranës Tiranë, 24 prill 2015
Dr. ELEZ BIBERAJ
|