VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
FREEDOM HOUSE - NË SHQIPËRI BIZNESET KONTROLLOJNË TREGUN E MEDIAS E Enjte, 04.30.2015, 06:52am (GMT1) "‹"‹Gjendja e medias në botë u keqësua ndjeshëm gjatë vitit 2014, duke arritur pikën më të ulët në dekadën e fundit, thuhet në raportin më të ri mbi lirinë e shtypit, të publikuar sot nga organizata Freedom House me qendër në Uashington. Sipas raportit, Shqipëria dhe Kosova hyjnë në vendet ku shypi është pjesërisht i lirë. Nga 199 vendet e botës që analizon raporti, Shqipëria renditet e 97-a, ndërsa Kosova zë vendin e 100. Të dyja kanë nga 49 pikë në klasifikimin e përgjithshëm, pa ndryshim nga një vit më parë. Edhe Ballkani perëndimor ka shënuar rënie në shumë aspekte të lirisë së shtypit, thotë Elen Aghekyan, eksperte e organizatës Freedom House. Ajo thotë se shkaqet duhen kërkuar te disa faktorë, siç është përdorimi i gjërë i ligjeve për shpifjen dhe fyerjen nga zyrtarë qeveritarë apo nga figura të tjera publike kundër gazetarëve. Zakonisht, thotë ekspertja, në këto vende, radiotelevizionet publike kanë një prirje proqeveritare dhe kjo u jep koalicioneve në fuqi një avantazh, sidomos gjatë periudhave zgjedhore. Në këto vende vërehen mjaft trysni editoriale nga pronarët e mediave. Ka gjithashtu dhunë, fizike ose verbale, kundër gazetarëve dhe zërave të pavarur, gjë që çon në vetëcensurë. Sipas saj, pronësia mbi mediat në të gjitha këto vende është mjaft e errët dhe e panjohur për publikun, gjë që çon në konflikte të shumta me interesat e ndryshme politike dhe komerciale. Për Shqipërinë, zonja Aghekyan vëren disa probleme: "Shumë nga ligjet në Shqipëri përputhen me standardet e mira evropiane, por zakonisht ajo që mungon është zbatimi. Mungojnë aftësitë strukturore për zbatimin e ligjeve të tilla, si ai për lirinë e informimit. Problemi i vërtetë është te sistemi juridik, i cili nuk është i fortë sa duhet. Bizneset e mëdha kontrollojnë tregun e medias, i cili është shumë i vogël. Shumë nga institucionet e medias janë ende mjaft të reja dhe pa aftësi të forta pavarësie." Zonja Aghekyan thotë se përqendrimi i mediave në duart e biznesit në Shqipëri është një problem mjaft i madh. Për të zgjidhur këtë duhen ligje të forta dhe masa të forta zbatuese, kundër përqendrimit. "Kërkohen gjithashtu ligje transparence që publiku të dijë se kush është pronari i këtij apo atij mediumi, apo kush ka aksione në një kompani që është pronare e një mjeti të caktuar informimi. Janë të paktë vendet që kanë patur sukses në këtë aspekt, por kjo është diçka absolutisht e rëndësishme." Zonja Aghekyan thotë se Kosova ka patur pothuajse të njëjtat probleme gjatë vitit të kaluar, pra jo shumë lëvizje përsa i përket klasifikimit të saj. Gjatë këtij viti ajo ka qëndruar në të njëjtat parametra. Kosova, thotë ekspertja, ka probleme që lidhen me mangësitë e sistemit juridik: "Shikojmë gjithashtu mungesën e një shoqërie të fortë civile, që është me rëndësi kyçe për mbështetjen e lirisë së shtypit." Sipas saj, Kosova, si shtet i ri, duket se është në rrugë të mbarë, por i duhet dhënë kohë për t'i zhvilluar këto gjëra. www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |