VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LIQENI I SHKODRËS NË RREZIK NGA NDOTJET TOKSIKE

E Djelë, 05.03.2015, 07:06pm (GMT1)



Liqeni i Shkodrës gëzon mbrojtje të dyfishtë në letër: nga Shqipëria dhe Mali i Zi. Por në realitet, ai vazhdon të ndotet nga të dy vendet. Në shumë pjesë të liqenit, bimësia ka dalë mbi sipërfaqe, ndërsa peshqit po rrallohen për shkak të ndotjes së vazhdueshme nga mbetjet toksike.

Specialistët në Shkodër dhe në Podgoricë bien dakord që ndotësi më i madh i këtij liqeni është kombinati i aluminit në kryeqytetin malazez, i cili zbraz mbetjet e tij në liqenin e Shkodrës, përmes lumit Moraça.

Profesor Mahir Hoti, specialist i gjeografisë fizike dhe mjedisit i tha BIRN se liqeni po kalon ditët e tij më të këqija. “Ka shumë faktorë për mpakjen e liqenit, por ndotja është njëri prej tyre,” thotë ai. “Dëmtimi më i madh, sidomos i peshkut vjen nga ndotja kimike e kombinatit të aluminit në Podgoricë,” shton ai.

Në anën tjetër të kufirit, në Mal të Zi, aktivistja Jelena Morojevic e shoqatës mjedisore “Green Home” ndan të njëjtin shqetësim me profesor Hotin. “Kimikatet e kombinatit të aluminit që mbërrijnë në liqen përbëjnë një problem të madh për këtë sistem ujor. Por ka edhe shumë faktorë të tjerë ndotës, siç janë ujërat e zeza që derdhen aty nga të dyja vendet,” thotë Morojeviç.

Liqeni i Shkodrës është vlerësuar si një ndër hapësirat ujoremë të mëdha në Ballkan, me një ekosistem të pasur në peshq e shpendë. Për këtë arsye, qeveria shqiptare dhe ajo malazeze e kanë shpallur atë “zonë të mbrojtur”. Për vlerat natyrore që mbart, liqeni i Shkodrës ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e organizmave ndërkombëtare, të cilët kanë dhënë donacione për minimizimin e ndotjes. Megjithatë, një shtresë e hirtë alumini mbulon vazhdimisht sipërfaqen ujore në pjesën shqiptare të liqenit.

Ambientalistët në Mal të Zi i thanë BIRN-it se kohët e fundit, në kombinatin e aluminit janë ulur ritmet e punës, për shkak të një projekti që po aplikohet për trajtimin e mbetjeve. Natasha Kovaçeviç, specialiste mjedisore në Mal të Zi thotë për BIRN se ambientalistët kanë paralajmëruar prej vitesh rrezikun e një katastrofe ekologjike që i ndodh liqenit nga mbetjet toksike. Më në fund, sipas saj po bëhen përpjekje për zgjidhjen e këtij problemi. Ajo shpjegon se protestat e tyre e kanë detyruar kompaninë të marrë një kredi 50 milionë euroshe nga Banka Botërore për trajtimin e mbetjeve të aluminit. Megjithatë, ajo i druhet mbetjeve toksike të akumuluara ndër vite, të cilat kërkojnë investim më të madh se ai që është siguruar.

Në kombinatin e aluminit, që ndodhet në afërsi të Podgoricës në Mal të Zi, dy pishinat e jashtme përbajnë 7.5 milionë ton llumëra toksike. Ambientalistët thonë se vetëm njëra prej pishinave ka një shtresë izoluese. Një pjesë e këtyre mbetjeve derdhen përmes 6 puseve të kombinatit në lumin Moraça dhe pas lundrimit për disa kilometra, ato derdhen në liqenin e Shkodrës.

Daliborka Pejovic, zyrtare e ministrisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit në Mal të Zi thotë se është detyrim i kompanisë që zotëron kombinatin, të plotësojë kushtet mjedisore dhe të mos shkaktojë ndotje të mëtejshme. Ajo shton se kreditë dhe fondet e alokuara janë të mjaftueshme për të trajtuar mbetjet toksike. “Nëse pronari nuk e bën këtë, atë shteti do t’i gjejë një zgjidhje këtij problemi,” shton Pejovic.

Por ambientalistët në Mal të Zi shprehen skeptikë se 50 milionë eurot do të mjaftojnë për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e ndotjes së liqenit të Shkodrës nga kombinati i aluminit. “Ne nuk duhet të harrojmë që deri tani, trajtimi i mbetjeve të këtij kombinati është vlerësuar se shkon deri në 100 milionë euro,” përfundon Jelena Morojevic e “Green Home”.
WWW.VOAL-ONLINE.CH


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.