VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOSOVË - ËSHTË HAPUR RRUGA E DEBATIT PËR GJYKATËN SPECIALE

E Hënë, 05.04.2015, 06:04pm (GMT1)

Udhëheqësit politikë bëjnë thirrje që të ruhet konsensusi i brendshëm politik dhe partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare lidhur me ngritjen e gjykatës së posaçme.

Në Kosovë, është paralajmëruar mundësia që javën e ardhshme të debatohet në parlament ngritja e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, tha të hënën se çështja është aktualisht duke u shqyrtuar në komisionin parlamentar për ligje dhe pastaj do të hidhet për diskutim në parlament ku siç tha ai, është me rëndësi të ruhet konsensusi i brendshëm politik dhe të ruhet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për, miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, ndërsa tani po përgatitet infrastruktura kushtetuese e ligjore për funksionimin e saj. Sivjet, opozita ka paralajmëruar votimin kundër ngritjes së kësaj gjykate të cilën e vlerëson edhe si cenuese të sistemit të drejtësisë në Kosovë por edhe sovranitetit të saj.

Diplomatë perëndimorë kanë tërhequr vërejtjen se dështimi i mundshëm i Kosovës që të votojë ngritjen e Gjykatës së posaçme, do të kishte pasoja për proceset politike dhe aspiratat e saj për integrim. Po ashtu është thënë se dështimi do të mund ta çonte çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që, siç theksohet, do të ishte një skenar i pafavorshëm për Kosovën.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.za

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

WWW.VOAL-ONLINE.CH


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.