VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LIGJI I RI PËR TURIZMIN - SHQIPËRIA ME TRE AEROPORTE TË REJA

E Martë, 05.05.2015, 09:44am (GMT1)

"‹

Problemi i pronave në Shqipëri ka stopuar zhvillimin e turizmit. Shumë investitorë të huaj nuk kanë guxuar të ndërtojnë në bregdetin shqiptar, vetëm për shkak të konflikteve me tokat. Nga ana tjetër, Shqipëria ka edhe TVSH-në më të lartë në rajon, duke e bërë turizmin tepër të kushtueshëm. Shërbimet, ndotja, mungesa e turizmit gjithëvjetor, janë të tjera pengesa që nuk e kanë lejuar të shkojë aty ku duhet zhvillimi i turizmit shqiptar.

Pikërisht për t'i dhënë një hov të ri zhvillimit të këtij sektori në vendin tonë, duke synuar turizmin gjithëvjetor është prezantuar sot në Kuvend ligji i ri i turizmit. Vetë ministri Arben Ahmetaj ka folur gjatë për problemet dhe zgjidhjet që do vijnë përmes ligjit të ri duke theksuar se të ardhurat që sjell turizmi në Shqipëri kapin shifrën e 1.1 miliardë dollarëve por se potencialet janë shumë më tepër se kaq.

Ministri bëri të ditur para deputetëve të Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese se brenda dy javësh do propozohet në Qeveri një paketë e re që parashikon uljen e TVSH-së, që sipas direktivave të BE-së nuk mund të jetë më e lartë se 15 %.

Një tjetër risi që do të ndikojë së tepërmi në rritjen e numrit të turistëve në vendin tonë do të jetë edhe ngritja e 3 aeroporteve të reja, duke i hequr kështu eksluzivitetin aeroportit aktual të Rinasit. "Nënë Tereza".

Por edhe turistët e huaj brenda pak viteve do ta kenë më të lehtë dhe më pak të kushtueshme ardhjen në Shqipëri, jo vetëm përmes aeroporteve të reja, por edhe përmes Autostradës Blu, apo 'Korridorit të Kaltër' siç quhet ndryshe projekti, i cili kalon përmes vendeve të rajonit; Kroaci, Mal i Zi, Greqi, Shqipëri.

WWW.VOAL-ONLINE.CH


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.