VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MBRËMË PROTESTË PAQESORE PARA PARLAMENTIT MAQEDONAS

E Enjte, 05.07.2015, 06:24am (GMT1)


Policia maqedonase ka penguar të mërkuren në mbrëmje protestuesit që të mblidhen para ndërtesës së Qeverisë. Ata shkuan para Parlamentit të vendit ku po protestojnë në mënyrë të qetë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të kabinetit të tij qeveritar, të bindur se kanë mbuluar gjurmët e vrasjes së një të riu maqedonas para katër vjetësh nga një pjesëtar i policisë speciale. Kjo u bë publike nga bisedat e përgjuara telefonike të cilat i zotëron Lidhja Social Demokrate e opozitës. Në një audio-regjistrim dëgjohen zyrtarët më të lartë qeveritarë që përpiqen t'i japin një tjetër konotacion vrasjes së njëzetë e një vjeçarit, ndërkohë që rasti qe mbajtur në fshehtësi nga organet e rendit dhe nga mjetet proqeveritare të informimt për dyzet e tetë orë.


Protestat e një dite më parë u shndërruan në dhunë midis demonstruesve dhe policisë dhe kjo nxiti shqetësimin e Bashkimit Evropian, një zyrare e të cilit kërkoi që protestat të jenë të qeta dhe drejtuesit politik të vendit të gjejnë një zgjidhje të shpejtë të krizës.
 
Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski duke folur për një televizion të vendit ka thënë, po të mëruren në mbrëmje, se kriza duhet zgjidhur në qetësi dhe me mençuri, ndërsa gjendjen e krijuar e ka quajtur një skenar të drejtuesit opozitar Zoran Zaev, i cili "dëshiron që ta marrë pushtetin përmes dhunës dhe në këtë mënyrë t'i shpëlajë të gjitha punët e paligjshme", siç është shprehur zoti Gruevski. Ai vlerëson se problemet e krijuara duhet zgjidhur përmes një procedure transparente dhe dialogut në Parlament. za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.