VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TENSIONET PARAZGJEDHORE, DEBATE NË KUVEND, FAJËSOHET QEVERIA

E Enjte, 05.07.2015, 06:39pm (GMT1)



Në Shqipëri parlamenti u përfshi sot në debate mes shumicës dhe opozitës lidhur me disa incidente dhe ngjarje që kanë shoqëruar ditët e fundit situatën parazgjedhore.  E djathta bëri përgjegjëse qeverinë për incidentin e mbrëmshëm në Kolonjë gjatë një aktiviteti të kryetarit demokrat Lulzim Basha. Ndërsa deklarimet e kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi me stafin elektoral në Shkodër, ku ai përmendte drejtorë të administratës të angazhuar në fushatë, opozita i vlerësoi si përpjekje për manipulimin e zgjedhjeve ditën e votimit. Zoti Rama u kundërpërgjigj duke hedhur poshtë akuzat

Tensionet parazgjedhore u transferuan sot në sallën e parlamentit duke zënë një kohë të gjatë në debate dhe replika. Ish kryeministri Sali Berisha bëri përgjegjëse shumicën për incidentet e regjistruara ditët e fundit: "Këtu kemi të bëjmë me një proces themelor për vendin që janë zgjedhjet. Një proces i cili do përcaktojë shumë gjëra për cdo qytetarët shqiptarë. Një proces të cilin shumica e ka nisur me akte kriminale si në Durrës, dhe përsërit rastin tjetër dje në Kolonjë ndaj kryetarit të opozitës", deklaroi zoti Berisha

Në Kolonjë gjatë një aktiviteti të kryetarit demokrat Lulzim Basha, i cili do prezantonte kandidatin e opozitën për kryetar Bashkie, një i ri 27 vjecar Suel Lico qëlloi me karrike në drejtim të tij, duke plagosur një 65 vjecar. Opozita u shpreh se Lico ishte i njohur për lidhjet e tij me njerëz të pushtetit. Ngjarja u dënua sot nga kryetari I parlamentit Ilir Meta, ndërsa kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat "Të gjithë rastet që kanë të bëjnë me cënim të cfarëdolloj, të cilitdo aktivitet të partisë suaj apo cdo partie, dhe që hyn në përgjegjësitë e forcave të rendit, trajtohen me përgjegjësinë më të lartë nga forcat e Rendit. Policia e ka ndaluar menjëherë. Pse e ndali nuk është merita, është detyra që policia e bën se nuk merr urdhra nga ne për fushatën, dhe nuk ndalon punën e vet se ka fushatë", deklaroi zoti Rama

Një tjetër cështje e debatuar së fundmi, ajo e deklarimeve të kryeministrit gjatë një takimi me stafin elektoral në Shkodër zuri vend në polemikat e sotme në sallë. Në bisedën, regjistrimin e së cilës e publikoi ish kryeministri Berisha, zoti Rama dëgjohet të kërkojë angazhimin e drejtorëve të së majtës në fushatë dhe arritjen e një rezultati pozitiv, përndryshe sipas tij të nesërmen e zgjedhjeve është "koha për ti hapur vendin dikujt tjetër".

Për opozitën kjo përbën një përpjekje për manipulimin e votave ditën e zgjedhjeve. "Janë ca drejtorë, tha, që na kanë nxjerrë bojën. Na kanë nxjerrë bojën, tha, po këta tani kanë mundësinë dhe rastin të plotësojnë kreditet e tyre duke vjedhur votat e shqiptarëve. Se si mund t'i marrin votat e shqiptarëve ndryshe këta drejtorë të cilëve u ka dalë boja", tha kryetari i grupit demokrat Edi Paloka ndërsa komentonte deklarimet e kryeministrit.

Fillimisht socialistët reaguan duke deklaruar se nuk bëhej fjalë për drejtorë administrate por drejtorë operacionalë, si pjesë e organizimit të fushatës. Ndërsa sot zoti Rama dha këtë shpjegim: "Në mbledhjet tona janë të pranishëm edhe drejtorët në administratë që janë pjesë e strukturave drejtuese të partisë socialiste. Sigurisht që në ato takime ne japim detyrat tona, por asnjëherë, kurrë, për të vjedhur votat sic keni bërë ju", u shpreh zoti Rama duke ju drejtuar deputetëve demokratë.

Pjesë tjetër e debatit ishte dhe çështja e rregjistrimit të një numri të pazakontë banorësh në qytetin e Durrësit. Bëhet fjalë për mbi 2200 persona vetëm në gjashtë javët e fundit.  Partia demokratike paraqiti kallëzim për kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.Zoti Rama u kundërpërgjigj duke deklaruar se dhe kandidatja e demokratëve në Durrës, Grida Duma është rregjistruar si banore me qera te shtëpia e një të afërmi të saj dhe se sipas tij e gjithë kjo histori do të përfundojë duke turpëruar opozitën. Për rregjistrimet e fundit në Durrës edhe Komisioni qëndror i zgjedhjeve ka kërkuar hetim nga prokuroria. za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.