VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Atentat gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni
E Hënë, 02.09.2009, 08:23am (GMT1)

Voal-online - Ardian Nuni, Gjyqtar i Gjykatës së Lartë është qëlluar me armë zjarri në lagjen " Komuna e Parisit" në Tiranë. Nga të dhënat e para mësohet se ngjarja ndodhi gjatë orëve të natës së të dielës . Menjëherë gjyqtari Ardian Nuni është dërguar në Spital Ushtarak. Mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën.
Ardian Nuni,anëtar i Gjykatës së Lartë, ka lindur në Korçë më 01 janar 1969. Është i martuar dhe ka një fëmijë. Është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1991. Në vitin 1997 ka marrë gradën shkencore "Doktor i Shkencave Juridike" dhe në vitin 2004 titullin "Profesor i Asociuar" . Z. Nuni është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Korçë në vitin 1991, ndërsa në vitet 1992-1993 ka punuar fillimisht si gjyqtar dhe pastaj zëvendëskryetar i Gjykatës së Rrethit Tiranë. Nga viti 1993 deri në vitin 2007 ka qenë pedagog i brendshëm në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku ka ushtruar funksionin e zëvendësdekanit të fakultetit (1993-1996 dhe 2003-2007) dhe funksionin e përgjegjësit të Departamentit të së Drejtës Civile (2002-2007). Z. Nuni ka kryer disa kualifikime pasuniversitare jashtë shtetit në fushën e së drejtës, ka qenë anëtar i senatit të Universitetit të Tiranës dhe i një vargu organizatash të tjera profesionale. Ai është autor dhe bashkautor i disa librave dhe monografive në fushën e të drejtës civile dhe ka dhënë mësim në programe universitare dhe pasuniversitare. Nga viti 1993 deri në vitin 2007 ka ushtruar profesionin e avokatit pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë dhe nga viti 1998 e në vazhdim është pedagog i jashtëm i Shkollës së Magjistraturës. Me vendimin nr. 48, datë 13.07.2006 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është emëruar anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, funksion nga i cili u largua me dorëheqje për shkak të emërimit si anëtar i Gjykatës së Lartë. Me dekretin nr. 5252, datë 04.04.2007 të Presidentit të Republikës është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.