VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ZËRI I AMERIKËS - SERBIA DO TA HEQË KOSOVËN NGA KUSHTETUTA E SAJ?

E Premte, 05.08.2015, 05:51pm (GMT1)




Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Kosovës, që është kushti themelor në përpjekjet e Beogradit për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë të përditshmes "The Wall Street Journal", se është "duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë". Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e kushtetutës serbe.

"Ne duhet të jemi shumë të sinqertë me popullin tonë për mundësitë e ndryshme. Dhe populli i Serbisë duhet ta thotë fjalën e fundit", citohet të ketë thënë ai, ndërsa i ka cilësuar "shaka" propozimet e qeverisë së Kosovës që përfaqësuesve të komunitetit serb t'u ofrojë "pushtet sipërfaqësor".

Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.

Ndonëse nuk e kanë vënë si kusht njohjen e pavarësisë së Kosovës, diplomatët evropian kanë përsëritur qëndrimin se hapja e kapitujve të negociatave për anëtarësim duhet të pasojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, presidenti serb Tomislav Nikoliç, tha të premten se "kushti kryesor për anëtarësimin në Bashkimin Evropian do të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës", ndërsa ka përsëritur se Serbia nuk do ta bëjë këtë.

"E nëse Bashkimi Evropian vazhdon të ngulë këmbë, kjo do të thotë se BE nuk dëshiron të na shohë në përbërjen e vet", i tha ai agjencisë ruse të lajmeve Interfax.  

"Por këtë kusht nuk do të pranonte asnjë popull. Këtë mund të pranojnë vetëm robërit", citohet të ketë thënë presidenti serb i cili shkoi në Moskë për të marrë pjesë në parakalimin ushtarak të shtunën në 70 vjetorin e kapitullimit të Gjermanisë naziste, që kishte shënuar edhe fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Vendimi për pjesëmarrjen edhe te ushtrisë serbe në parakalim është marrë nga presidenti serb, me gjithë kërkesat që i janë bërë nga përfaqësues evropian që të mos e bëjë një gjë të tillë.

Një pjesë e madhe e shefave të shteteve perëndimore përfshirë edhe aleatet e dikurshëm të Moskës gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në parakalim në shenjë proteste ndaj ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë përmes aneksimit të siujdhesës së Krimesë një vit më parë.

Serbia synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe shpreson të fillojë negocimin e kapitujve në kuadër të bisedimeve për anëtarësim gjatë këtij viti. Por, ajo po ecë nëpër një rrugë të ngushtë ndërmjet perëndimit dhe aleatit të saj tradicional, Rusisë, që nga shpërthimi i krizës në Ukrainë.

Beogradi kishte refuzuar t'u bashkohet sanksioneve evropiane kundër Rusisë, por, në të njëjtën kohë, ndonëse pa e dënuar aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, është shprehur në mbështetje të tërësisë tokësore të Ukrainës.

Serbia vazhdon të ruaj lidhjet emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore.

"Nuk ka kthim prapa", citohet të ketë thënë kryeministri serb Vuçiç për përpjekjet e Serbisë drejt integrimeve evropiane.

"Kam edhe unë zhgënjimet e mia personale dhe politike kundruall Bashkimit Evropian, por  detyra ime është të kujdesem mbi çështjet e rëndësishme strategjike të këtij shteti", ka thënë ai, duke shtuar se këtë mesazh ka jo vetëm për Washingtonin e Brukselin, por edhe për Moskën.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.