VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KUMANOVË - TË SHTËNA DHE SHPËRTHIME NË LAGJEN E TRIMAVE

E Shtunë, 05.09.2015, 09:06am (GMT1)



Të shtëna armësh dhe shpërthime të fuqishme janë regjistruar rreth orës pesë të mëngjesit në Kumanovë të Maqedonisë, të cilat kanë zgjatur për më shumë se një orë.

Jozyrtarisht bëhet e ditur se përleshjet kanë ndodhur ndërmjet forcave policore dhe një grupi të armatosur që ishte strehuar në disa shtëpi në Lagjen e Trimave, të banuar me popullatë shqiptare.

Sipas të dhënave të para, ka të plagosur, por ende nuk raportohet për viktima, ndërsa është vërejtur edhe tym nga disa shtëpi.

Mbi këtë zonë në vazhdimësi kanë fluturuar helikopterë të policisë dhe një aeroplan pa pilot.

Në rajonin malor të Kumanovës, kohë më parë, ka ndodhur edhe një incident tjetër, pasi persona të armatosur, të prezantuar si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), sipas policisë maqedonase, kanë sulmuar një stacion policie në fshatin Goshincë, në kufirin Maqedoni-Kosovë.

Rasti është vlerësuar si akt terrorizmi nga Qeveria e Maqedonisë, por opozita ka thënë se bëhet fjalë për skenarë të përgatitur për të shpërqendruar vëmendjen pas situatës së krijuar nga audio-incizimet e publikuara nga lideri i opozitës, Zoran Zaev, për të cilat ai thotë se janë bisedime të përgjuara paligjshëm nga ana e Qeverisë. rel
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.