VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

RADIO EVROPA E LIRË - PËRPLASJE TË ARMATOSURA NË KUMANOVË (Tekst dhe fotogaleri)

E Shtunë, 05.09.2015, 03:50pm (GMT1)


Të shtëna armësh dhe shpërthime të fuqishme janë regjistruar rreth orës pesë të mëngjesit në Kumanovë të Maqedonisë, të cilat janë duke vazhduar ende.

Përleshjet kanë ndodhur ndërmjet forcave policore dhe një grupi të armatosur që ishte strehuar në disa shtëpi në "Lagjen e Trimave", të banuar me popullatë shqiptare.

Sipas të dhënave të para, ka të plagosur, por ende nuk ka të dhëna zyrtare për viktima, ndërsa është vërejtur edhe tym nga disa shtëpi.

Mbi këtë zonë në vazhdimësi kanë fluturuar helikopterë të policisë dhe një aeroplan pa pilot.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, në konferencën e parë për shtyp ka njoftuar se aksioni policor në Kumanovë është ndërmarrë për të zhbërë një grup më të madh terroristësh, të cilët kanë pasur në plan të sulmojnë institucionet e shtetit.

“Sipas informacioneve operative, të cilat i ka pasur MPB-ja, një grup i armatosur ka pasur për qëllim që të organizojë sulme të armatosura ndaj institucioneve të ndryshme shtetërore. Informacionet, të cilat i kemi siguruar më parë, tregojnë se grupi ka hyrë në Maqedoni nga një shtet fqinj dhe nëpërmjet mbështetësve të tyre është strehuar dhe është përgatitur që të veprojë për sulmet e tyre terroriste”.

“Policia ka arritur të gjejë lokacionin e tyre, se ata fshihen në disa shtëpi te ‘Lagjja e Trimave’. Sipas të dhënave, bëhej fjalë për një grup që është i armatosur mirë dhe i trajnuar për luftë në kushte të tilla”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Ivo Kotevski, duke dhënë dhe një kronologji të zhvillimeve të mëngjesit të së shtunës në Kumanovë.

"Në aksionin e sotëm, nga ora 5 e mëngjesit, policia ka filluar operacionin, ndërsa ka hasur në rezistencë të ashpër ku është shtënë me armë kallashnikov, armë më të rënda, snajperë dhe bomba. Bëhet fjalë për një vend me rrugë të ngushta dhe policia duhet të bëjë kontrolle nëpër të gjitha shtëpitë me qëllim që ta shkatërrojë deri në fund këtë grup”, ka deklaruar Kotevski.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur, ndërkohë që nuk ka dhënë detaje për numrin e të plagosurve apo viktimave eventuale.

Kotevski ka thënëse gjendja ndryshon nga momenti në moment dhe përderisa vazhdon operacioni policor, nuk mund të japë informacione të këtilla.

Por, banorët lokalë thonë se gjendja në “Lagjen e Trimave” ku po zhvillohet aksioni, është shumë e rëndë .

“Kam një porosi për Ali Ahmetin dhe Nikolla Gruevskin, për çka po ndodh kjo situatë, pse trishtohen fëmijët dhe nënat shqiptare?”, ka deklaruar një grua, e cila kishte arritur të dalë nga kjo lagje me të birin e saj të mitur.

Edhe një banor tjetër maqedonas thotë se aksioni policor është përgatitur qysh gjatë mbrëmjes së kaluar:

“Qysh gjatë natës së kaluar ishin të pranishme forca të mëdha policore, të cilat tregonin se diçka do të ndodhë”.

Ndërkaq, deputeti i Zonës, Rexhail Ismaili, ka bërë thirrje për gjakftohtësi dhe që të mos krijohet panik.

“Apelojmë deri te popullata shqiptare e Kumanovës dhe Likovës që të jetë e vëmendshme gjatë kësaj situatë të rëndë, e cila po mbretëron për momentin. Njëherësh luten të mos i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe të mos bëhen pre e provokimeve dhe pazareve të ndryshme”, ka thënë Ismaili.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup ka lëshuar një deklaratë për media, duke shprehur keqardhje për, siç ka thënë, humbjen e jetëve nga aksionet e armatosura në Kumanovë.

“Na vjen keq për humbjen e jetëve të njerëzve dhe shprehim ngushëllimet më të thella për familjet e të vrarëve dhe të plagosurve. Ne po monitorojmë situatën dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe liderët politikë. U bëjmë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë verifikimin e të dhënave”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Shkup.

Në lidhje me përleshjet e së shtunës dhe incidentin në Kumanovë, ka reaguar edhe zyra e Bashkimit Evropian në Shkup.

“Jemi në kontakt me autoritetet dhe me partitë politike. Fuqishëm bëjmë thirrje te të gjithë qytetarët dhe faktorët politikë që të qëndrojnë të qetë dhe të presin që qeveritarët relevant të tregojnë faktet dhe të sqarojnë atë që po ndodh. Shpresojmë që do të shmanget përshkallëzimi i situatës dhe tensioneve”, theksohet në reagimin e Delegacionit të BE-së.

Nga ana tjetër, partia e tij, BDI, e cila është pjesë e Qeverisë, nëpërmjet një komunikate me shkrim, ka njoftuar se me shqetësim të thellë po ndjek zhvillimet e së shtunës në Kumanovë dhe në vazhdimësi u ka bërë thirrje qytetarëve për përmbajtje, rruajtje të gjakftohtësisë dhe që të mos bien pre e provokimeve.

“Bashkimi Demokratik për Integrim gjykon që zhvillimet e sotme në Kumanovë, por edhe ato të mëhershmet në Goshincë, si dhe shpërthimi para selisë së BDIsë dhe të tjera, janë veprime në kundërshtim të plotë me përcaktimet strategjike të kombit shqiptar si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Luginë të Preshevës”, theksohet në komunikatën e BDI-së, ku shprehet bindje se “asnjë destabilizim i vendit tonë nuk është në interes të kombit shqiptar në rajon”.

“Ministria e Punëve të Brendshme duhet të veprojë me përgjegjësi ndaj ndjeshmërisë së situatës së sigurisë dhe asaj politike”, theksohet në komunikatën e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ndërkohë, lideri i partisë maqedonase në opozitë LSDM, Zoran Zaev, i ka bërë thirrje Nikolla Gruevskit që menjëherë të dalë para qytetarëve dhe të japë sqarime, kush, pse dhe me çfarë qëllimi po e destabilizon Maqedoninë.

“Pse grupe kriminale nga territoret e vendeve tjera fqinje hyjnë në Maqedoni? Kush i organizon dhe për çfarë qëllimi? Të njëjtën duhet ta bëjë edhe Ali Ahmeti. Viktima janë qytetarët - edhe maqedonasit edhe shqiptarët, edhe policët, edhe popullata civile”, ka theksuar Zaev.

Edhe Partia Demokratike Shqiptare, nëpërmjet një komunikate ka ftuar qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe në asnjë mënyrë të mos bien pre e provokimeve:

“Partia Demokratike Shqiptare, konform pozicionit momental politik që ka si opozitë, kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe institucionet e tjera qeveritare të involvuara në këtë situatë, që me veprimet e tyre në asnjë mënyrë të mos cenojnë jetën dhe pronën e qytetarëve”.

Në rajonin malor të Kumanovës, kohë më parë, kishte ndodhur edhe një incident tjetër, pasi persona të armatosur, të prezantuar si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), sipas policisë maqedonase, kanë sulmuar një stacion policie në fshatin Goshincë, në kufirin Maqedoni-Kosovë.

Rasti është vlerësuar si akt terrorizmi nga Qeveria e Maqedonisë, por opozita ka thënë se bëhet fjalë për skenarë të përgatitur për të shpërqendruar vëmendjen pas situatës së krijuar nga audio-incizimet e publikuara nga lideri i opozitës, Zoran Zaev, për të cilat ai thotë se janë bisedime të përgjuara paligjshëm nga ana e Qeverisë.








www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.