VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ZËRI I AMERIKËS - SITUATË KRITIKE NË KUMANOVË PAS INCIDENTEVE ME ARMË

E Shtunë, 05.09.2015, 04:04pm (GMT1)



Gjendja në qytetin e Kumanovës është përkeqësuar pas krismave të armëve, kalibrash të ndryshëm, në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës. Forca të shumta policore kanë ndërmarrë një aksion kundër grupeve të armatosura, sipas autoriteteve maqedonase, të cilat flasin për dhjetra persona, të armatosur dhe me uniforma të zeza, të ishin vendosur në një lagje të qytetit. Flitet për pasoja në njerëz, por ende nuk ka konfirmime zyrtare mbi numrin e viktimave eventuale, për çka spekulon një pjesë e medias, apo dhe për të plagosur. Në spitalin e Kumanovës dhe të Shkupit janë dërguar me ambulanca ose me helikopterë, të paktën pesëmëdhjetë policë të plagosur. Ndërkohë, autoritetet spitalore nuk japin asnjë hollësi.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) tha se në Kumanovë është kryer një sulm terrorist. Grupi, sipas autoriteteve maqedonase, synonte sulme kundër institucioneve shtetërore. Zëdhënësi i Ministrisë, Ivo Kotevski tha se bëhet fjalë për një grup të stërvitur mirë që kreu sulme me armë automatike dhe me bomba. Por autorutetet nuk kanë dhënë hollësi mbi pasojat në njerëz dhe dëmet materiale.

Polica ka bllokuar rrugët e qytetit, ndërsa të shtënat e armëve nuk kanë pushuar as në orët e pasdites. Ka shtëpi të djegura nga goditjet e predhave, ndërsa familje me fëmijë të vegjël janë parë duke u larguar me valixhe nga zona.

Lagja e njohur si Divnaselë ose së fundmi si Lagja e Trimave është e banuar kryesisht nga shqiptarë. Ekipe të gazetarëve thonë se pengohen nga policia që të afrohen tek vendi i ngjarjes. Madje, një televizion që transmeton në gjuhën shqipe, ka njoftuar se ekipi i tij është kërcënuar nga pjesëtarët e policisë dhe se i është marrë materiali i regjistruar.

Pas vërejtjeve të shumta në rrjetet sociale lidhur me gjendjen në Kumanovë, kanë reaguar

Partia Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar Partia, përmes një komunikate u bën thirrje banorëve që të jenë të përmbajtur, të ruajnë gjakftohtësinë dhe që të mos bien pre e provokimeve.

BDI gjykon që zhvillimet e së shtunës në Kumanovë janë veprime që bien ndesh me përcaktimet strategjike të kombit shqiptar si në Maqedoni, poashtu edhe në Kosovë, Shqipëri dhe në Luginën e Preshevës.

Me një thirrje për qetësi ka dalë edhe partia tjetër, Partia Demokratike Shqiptare, e cila kërkon nga MPB që të mos cenojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.

Lidhja Social Demokrate e opozitës u bën thirrje banorëve që të mos bien nën ndikimin e skenarëve të errëta për nxitjen e konfliktit dhe destabilizimit të Maqedonisë. Kryetari i kësaj partie, Zoran Zaev u bëri thirrje kryeministrit Gruevski dhe Ali Ahmetit të BDI-së që t'u shpjegojnë qytetarëve të Maqedonisë se ç'farë po ndodh, se kush dhe pse po përpiqet ta destabilizojë vendin. Pse grupe kriminale nga fqnjësia hyjnë në Maqedoni, kush i organizon dhe për çfarë qëllimi, pyeti drejtuesi opozitar, duke thënë se viktima të këtyre zhvillimeve janë qytetarët maqedonas dhe shqiptarë, oicë dhe banorë civilë. Ai bëri thirrje që banorëve t'u garantohet siguria.

Ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Shkup. Ambasada, përmes një komunikate, shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve në aksionet në Kumanovë dhe rreth saj, dhe shprehë ngushëllimet familjeve të personave të vrarë dhe të plagosur. Ambasada nofton se po e ndjek situatën dhe se është në kontankt të vazhdueshëm me autoritetet dhe drejtuesit politikë, ndërkohë që u bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të lejojnë përcaktimin e fakteve.

Edhe zyra e Bashkimit Evropian në Shkup njoftojnë se janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe me drejtuesit politik. Bashkimi Evropian bën thirrje për qetësi, ndërsa shpreson në shmangien e acarimit të tensioneve në këtë vend.

Kjo gjendje e acaruar shikohet si rrjedhojë e krizës politike në Maqedoni, të shkaktuar nga skandali i madh i përgjimeve. Fshatrat shqiptare të Kumanovës qenë bërë skenë e përleshjeve të armatosura në vitin 2001 midis kryengritësve shqiptarë, të cilët luftonin për të drejta më të mëdha dhe forcave qeveritare ushtarake-policore maqedonase, një konflikt që përfundoi me Marrëveshen e Ohrit në gusht të atij viti.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.