VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

REAGIME NË RAJON NDAJ ZHVILLIMEVE NË MAQEDONI
Tirana dhe Prishtina dënojnë dhunën në Maqedoni dhe bëjnë thirrje për qetësi. Serbia shton praninë e policisë në kufi

E Shtunë, 05.09.2015, 04:13pm (GMT1)



Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë tha se është duke ndjekur me vëmendje situatën e orëve të fundit në Maqedoni dhe shprehu shqetësimin e saj për situatën e krijuar, "me pasoja të rënda në jetë njerëzish, dëmtime të pronës dhe rendit publik".

Në një reagim të kësaj ministrie dënohen "aktet e dhunës dhe bëhet thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe për mos përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, e cila nuk i shërben qëndrueshmërisë demokratike dhe përparimit të Maqedonisë".

Në reagim thuhet se "gjuha e urrejtjes dhe veprimet ekstreme duhet t'i lenë vend angazhimit ndaj të drejtave themelore, demokracisë dhe shtetit ligjor".

Ndaj zhvillimeve të sotme në Maqedoni reagoi edhe Ministria e Jashtme e Kosovës. Në një komunikatë thuhet se Kosova "dënon ashpër cenimin e rendit dhe sigurisë nga çfarëdo individi apo grupi me qëllime destabilizuese në Maqedoni. MPJ njëkohësisht apelon tek të gjitha palët që të përmbahen nga dhuna dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut politik, në kuadër të institucioneve të vendit dhe Marrëveshjes së Ohrit, që garanton integritetin e Maqedonisë dhe përmbushjen e të drejtave të komuniteteve".

Serbia ndërkaq ka vendosur qindra trupa shtesë të policisë në kufirin më Maqedoninë dhe në zonën tokësore të sigurisë në kufirin me Kosovën pas përleshjeve të armatosura në Kumanovë.

Për shkak të situatës në Maqedoni kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, ka thirrur për të dielën takim emergjent të Zyrës për bashkërendimin e shërbimeve të sigurimit. za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.