VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKE
Fërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”

E Hënë, 05.11.2015, 12:28pm (GMT1)



Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Lubomir Fërçkoski, ka analizuar për Radion Evropa e Lirë zhvillimet në Maqedoni, veçmas prapavijën e konfliktit të armatosur në Kumanovë, dhe ka akuzuar Qeverinë në Shkup për nxitje të tensioneve etnike. Ai thotë se e gjitha është çështje e brendshme e Maqedonisë dhe se nuk ka të bëjë asgjë me fqinjët.

Radio Evropa e Lirë: Në Serbi, gazetat kanë dalë me titujt: "Shqipëria e Madhe po troket në derë", "Nisi lufta për Shqipërinë e Madhe", "Kumanova sulmohet nga Kosova"... A mund të interpretohen nga ky kënd ngjarjet në Maqedoni?

Lubomir Fërçkoski:
Kam lexuar tituj të tillë në portale, si: "Çetnikët nisen për të çliruar Kumanovën", pastaj "Shqipëria e Madhe", "Nisi lufta në Maqedoni", "Kaos në Maqedoni" e të tjera. Kjo qeveri edhe e ka merituar këtë. Mirëpo, asgjë e ngjashme me këtë nuk ndodh në terma realë. Bëhet fjalë për një fenomen që e kam cekur gjithmonë. Çdo qeveri e VMRO-DPMNE-së përfundon me tensione etnike. Ky është rregull në Maqedoni; ata thjesht nuk dinë të qeverisin në një shtet multikulturor. Qeverisin me korrupsion, krim, korruptojnë madje edhe shqiptarët. Dhe, në fund, gjithmonë përfundon me ndonjë tension.

Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se ky është një konflikt i inskenuar?

Lubomir Fërçkoski:
Jo, nuk e them këtë, sepse nuk e di. Nëse është inskenuar, atëherë kanë humbur kontrollin. Me kaq të vdekur është një skenar i keq. Nuk dihet se sa civilë kanë pësuar, sa shqiptarë, atmosferë paniku në Kumanovë dhe më gjerë, tensione midis shqiptarëve dhe maqedonasve... Këto të gjitha janë kombinime të këqija. Nëse qeveria mendon se tani do të fitojë mandatin për ta rregulluar këtë, se bashkësia ndërkombëtare do t'i thotë: ju rregullojeni, ne qëndrojmë prapa jush, ajo gënjehet.

Radio Evropa e Lirë: Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, ka thënë se grupi i armatosur, apo "terroristët" siç i ka quajtur ajo, kanë ardhur nga një vend fqinj dhe se një pjesë e tyre janë nga Maqedonia...

Lubomir Fërçkoski:
Ky është një aluzion për UÇK-në dhe për kryengritësit shqiptarë në Maqedoni në vitin 2001. Nuk është e vështirë këtu të gjenden grupe që nuk janë të kënaqura me pjesëmarrjen e shqiptarëve në qeveri. Komandanti i tyre, njëri nga ata të ashtuquajtur komandantë, drejton gishtin kah Ali Ahmeti (kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim parti që mjerr pjesë në koalicionin qeverisës të Maqedonisë). Ai thotë: ose Ahmeti të dalë nga qeveria, ose do të ketë luftë në Maqedoni. Kjo është teza e tij.

Andaj, unë mendoj se dështimi në qeverisjen e vendit krijon klimën që grupe të ndryshme të organizuara, të gjysmë-organizuara, grupe që vijnë nga jashtë ose nga brenda çfarë ka pak rëndësi të gjejnë terren. Ato janë nisur nga nënçmimi i shqiptarëve në qeveri; korrupsioni i tyre shkakton zemërim te shqiptarët. 52 për qind e shqiptarëve të Maqedonisë nuk janë të përfaqësuar në politikë. Kjo pakënaqësi kulmon në incidente të tilla. Kjo nuk ka të bëjë me konceptin e "Shqipërisë së Madhe", me Kosovën, me Shqipërinë etj. Ky është është frustrim brenda shqiptarëve të Maqedonisë dhe, në njëfarë mënyrë, u drejtohet përfaqësuesve të tyre në qeveri.

Radio Evropa e Lirë: Nëse kjo është çështje e brendshme e Maqedonisë, çfarë parashikoni ju? Flitet se shqiptarët dhe maqedonasit në masë të madhe kanë ruajtur qetësinë, janë të vetëpërmbajtur. A është vërtet një atmosferë e tillë?

Lubomir Fërçkoski:
Po, kjo është e saktë. Asnjë parti politike shqiptare, as banorët e Kumanovës nuk duan që kjo të eskalojë. Mirëpo, këto banda do të konsiderohen si të mundura dhe ato kanë paralajmëruar për incidente të tjera. Andaj, nuk është e mundur që të përjashtohen incidentet. Në anën tjetër, ajo çfarë është e rrezikshme, është loja e VMRO-së, mobilizimi i maqedonasve kundër shqiptarëve, si mënyrë e mbijetesës së tyre në pushtet. Kjo është kartë e rrezikshme. Qeveria akuzon opozitën, akuzon të huajt për destabilizim. Deklarata e presidentit tonë të ashtuquajtur është se opozita, BE-ja dhe NATO janë fajtorë për krizën në Maqedoni. Mirëpo, besoj se nuk do t'ia dalin.

Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik që dhuna të përhapet në rajon, në vendet fqinje: Serbi, Kosovë?

Lubomir Fërçkoski:
Jo, nuk besoj. Këto do të mbeten incidente të Maqedonisë. Opozita ka paralajmëruar protestë të madhe më 17 maj. Opozita e Maqedonisë ka dashur që së bashku me shqiptarët të protestojë kundër qeverisë. Qeveria po punon që të thyejë këtë opozitë të përbashkët të qytetarëve maqedonas dhe shqiptarë. Kjo më bën të zemëruar.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.