VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI

E Mërkurë, 05.13.2015, 11:33am (GMT1)


Organizatorët e protestave në Maqedoni, lëvizja qytetarë "Protestoj", kanë përshëndetur dorëheqjen e dy ministrave, Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski, dhe drejtorit të Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, si "një shenjë inkurajuese se veprimi i qytetarëve po sjell ndryshime", por njëkohësisht konsiderojnë se ato janë vetëm "rekonstruksion kozmetik".

Së këndejmi, siç transmeton KosovaPress-i, ata për sot në orën 18 në Shkup, kanë thirrur protestë të re para Qeverisë kundër pushtetit aktual dhe me kërkesë për dorëheqje të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të gjithë anëtarëve të kabinetit të tij.

Organizatorët e protestave të përditshme para Qeverisë thonë se tashmë është e qartë se "lëvizja do ta mposhtë regjimin e padrejtë dhe çnjerëzor".

"Dorëheqjet janë fitore e qytetarëve dhe shenjë inkurajuese se veprimi ynë i përbashkët tashmë po sjell ndryshime pozitive. Por, ne nuk do të ndalemi me kaq! Rekonstruksioni kozmetik i Qeverisë, apo zëvendësimi i një elite të korruptuar me një tjetër nuk do të ndihmojë për tejkalimin e krizës sistemore me të cilën po ballafaqohen Maqedonia dhe qytetarët e saj", thuhet në komunikatën e lëvizjes "Protestoj".

Ata porosisin se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e tri kërkesave të të tyre kryesore: dorëheqjen e menjëhershme të tërë Qeverisë në krye me Gruevskin, lirimin e të gjithë aktivistëve të arrestuar nga 5 maji e këtej dhe formimin e Qeverisë për demokratizimin e institucioneve dhe mundësimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike.

"Zëshëm dhe vendosmërisht të kërkojmë dorëheqje nga tërë qeveria", thuhet në thirrjen për protestën e sotme në Shkup.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.