VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PAHOR: NUK JANË TEJKALUAR PROBLEMET E KONFERENCËS RAJONALE
E Martë, 03.09.2010, 12:06pm (GMT1)

 

 

Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, problemet ekzistuese në lidhje me organizimin e konferencës së liderëve të Ballkanit Perëndimor, në Bërdo afër Kranjit. Pahor ka thënë se mbetet problematike çështja e prezantimit të shteteve, simboleve dhe nxjerrjes së deklaratës së përbashkët.


Nuk janë tejkaluar ende mosmarrëveshjet në lidhje me organizimin e konferencës së liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bërdo afër Kranjit, ka deklaruar sot në Prishtinë, kryeministri slloven, Borut Pahor.

Pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Pahor tha se do të dëshironte që në Kranj t'i shihte në një konferencë bashkë me liderët tjerë të Ballkanit edhe presidentin serb, Boris Tadiq si dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Por, për shkak të kundërshtimeve serbe, ai tha se mbetet ende problematike përfaqësimi i shteteve, simboleve por edhe i nxjerrjes së deklaratës së përbashkët.

"Nuk mund të them në këtë moment se të gjitha problemet për organizmin e suksesshëm të konferencës janë zgjidhur", tha kryeministri slloven.

Ai shtoi se do të vazhdoj përpjekjet diplomatike që të zgjidhë të gjitha problemet ekzistuese në mënyrë që të gjithë liderët e Ballkanit të jenë në konferencë përballë liderëve evropian.

"Ky nuk është problemi i vetëm që e kemi, pasi që ka edhe probleme tjera. Imagjinoni që në fund të konferencës ne do të donim ta miratonim një deklaratë të përbashkët për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor", tha Pahor, duke shtruar dilemën se çfarë pune e pret diplomacinë që të nxirret një deklaratë të pranueshme për të gjithë.

Sidoqoftë ai është shprehur optimist se konferenca do të jetë e suksesshme dhe historike.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi nuk e ka sqaruar nëse ka paraqitur ndonjë pozicion të prerë të Kosovës lidhur me pjesëmarrjen e saj si shtet i barabartë në këtë konferencë, por i ka konfirmuar homologut të tij gatishmërinë e Kosovës që të jetë pjesë të gjitha nismave dhe konferencave rajonale.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.