VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NUK FILLON NDËRTIMI I AUTOSTRADËS
E Shtunë, 03.13.2010, 03:44pm (GMT1)

 

 

Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit ende nuk ka arritur ta finalizojë marrëveshjen për ndërtimin e autostradës me kompaninë "Bechtel & Enka", e cila kishte ofruar ofertën më të mirë në këtë projekt. Ndërkohë, zvarritjet e fillimit të punimeve, ekspertët e ekonomisë i quajnë të panevojshme. Sipas tyre, ky projekt ka qenë dhe vazhdon të jetë jotransparent.


Zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit hedhin poshtë mundësinë që kontrata me kompaninë fituese "Bechtel & Enka" për ndërtimin e autostradës, të nënshkruhet gjatë kësaj jave.

Zëdhënësi i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Xhevdet Pozhari, thotë se ende janë në fazën e bisedimeve.

"Bisedimet kanë hyrë në një fazë vendimtare. Por, ka edhe shumë pika të tjera që mbeten për t'u diskutuar".

"Ato përfshijnë çështje financiare, ligjore, teknike, administrative dhe shumë elemente përcjellëse, që do të kontribuojnë të kemi marrëveshje sa më të leverdishme për ndërtimin e kësaj autostrade, e cila është në interes të madh për kombin",
sqaron Pozhari.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, thotë se sapo të sqarohen të gjitha pikat me kompaninë, atëherë do të dalin me një vendim.

Pozhari thekson se nëse teorikisht nuk ka marrëveshje me kompaninë e zgjedhur, atëherë do të shkojnë në bisedime me kompaninë e dytë, sipas radhës.

Kompania e dytë është ajo austriake "Strabag", e cila në ofertën për ndërtimin e autostradës ishte bazuar sipas projektit, i cili ekzistonte më herët.

Sipas këtij projekti, parashihej që traseja të kalonte nga Merdari, Prishtina, Lipjani, Suhareka, Prizreni, Vërmica dhe kostoja e tërë kësaj, me tunele, do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Ndërkohë, analistë të çështjeve ekonomike në Prishtinë vazhdimisht kanë kritikuar institucionet për paqartësi të mëdha rreth këtij projekti.

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime të Avancuara, Shpend Ahmeti, shprehet:

"Projekti ka qenë jotransparent në aspektin që nuk e dimë se në çfarë kushtesh e ka fituar tenderin "Bechtel & Enka". A ka fituar ndonjë tender që ka qenë, apo, thjesht, është një parapëlqim për këtë kompani që të ndërtojë edhe pjesën tonë të rrugës".

"Në vlerësimet që janë bërë prej ekspertëve, ata vlerësojnë se pjesët e autostradës janë ekonomikisht të kthyeshme. Mirëpo ka pjesë që kushtojnë shumë shtrenjtë dhe është pyetje për qytetarin e Kosovës a dëshiron ta ndërtojë një rrugë të tillë dhe ta paguajë atë borxh edhe 10 vite me radhë, duke e ditur se në çfarë gjendje jemi",
shprehet Ahmeti.

Konsorciumi "Bechtel & Enka", në ofertën e vet, kishte propozuar që të eliminoheshin tunelet dhe traseja të kalonte nga Merdari, Prishtina, Sllatina, që lidhte aeroportin dhe kalonte nga rruga ekzistuese në Komoran, Arllat, ku më pastaj vazhdon drejt Malishevës, Suharekës dhe Prizrenit.

Ministri i Transportit, Fatmir Limaj, pati shpjeguar se, sipas propozimit të kompanisë, për 36 muaj pritet përfundimi i gjithë autostradës nga Besia në Sllatinë Arllat dhe pastaj nga Arllati në Vërmicë.

Megjithatë, eksperti i çështjeve ekonomike, Ahmeti, vlerëson se ndryshimet e tilla do të duhej të diskutoheshin në Kuvendin e Kosovës.

"Ndoshta përfaqësimi më i mirë i qytetarëve bëhet në Kuvendin e Kosovës. Dhe, do të duhej të diskutohej edhe në Kuvendin e Kosovës. Por, Kuvendi asnjëherë nuk ka diskutuar për ta caktuar se cilat janë ato projekte që janë me karakter strategjik, me interes shumë të lartë nacional, që do të duhej të diskutoheshin në Kuvend", vlerëson analisti Ahmeti.

Ndërsa, eksperti për çështje ekonomike, Isa Mulaj, thotë se kompania "Bechtel & Enka" ishte dashur të fillojë ndërtimin 15 ditë pas përzgjedhjes si kompani me ofertën më të mirë për realizmin e këtij projekti.

"Duket diçka e pështjelluar, meqë ministria ka kaluar shumë kompetenca te kompania për ndërtimin e autostradës, siç është vendimi për ndryshimin e trasesë së autostradës".

"Kompania vetëm konkurron në atë (trase), të cilën e shpall shteti. Në këtë rast, ministria është ajo që duhet t'ia imponojë kushtet kompanisë së përzgjedhur dhe jo e kundërta"
, shprehet Mulaj.

Oferta e kompanisë amerikano-turke "Bechtel & Enka", për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdar, është shpallur më e mira nga Komiteti Ndërministror për ndërtimin e autostradës në janar të këtij viti, me të cilën më pas kishin filluar negociatat.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.