VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MAQEDONIA HAP AMBASADËN NË PRISHTINË
E Hënë, 03.15.2010, 06:30pm (GMT1)

 

 

Kosova dhe Maqedonia edhe zyrtarisht kanë ngritur marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadash. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Miloshoski, ka marrë pjesë në inaugurimin e ambasadës së këtij vendi në Prishtinë.


Republika e Maqedonisë ka hapur të hënën ambasadën e saj në Prishtinë, duke vendosur kështu edhe zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Kosovën në nivel ambasadash.

Si dy vende fqinje, Kosova dhe Maqedonia kanë dhe do të kenë marrëdhënie dhe bashkëpunim ndërshtetëror, ka thënë me këtë rast, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Miloshoski, i cili bashkë me udhëheqësit kosovarë ka marrë pjesë në inaugurimin e Ambasadës maqedonase në Prishtinë.

Miloshoski ka thënë se Kosova tashmë paraqet një shtet të rëndësishëm të rajonit, duke vazhduar më pas edhe me adresimin e tij në gjuhën shqipe.

"Maqedonia dhe Kosova janë të përcaktuara për paqe në rajon, për miqësi dhe për bashkëpunim ekonomik. Hapja e ambasadës për ne është akt solemn dhe një plus i ri në marrëdhëniet tona ndërshtetërore", është shprehur Miloshoski.

Shefi i diplomacisë maqedonase ka theksuar po ashtu se vendi i tij mund të merret si shembull i shumë-etnicitetit në rajon.

Ngritja e përmendores së Nënës Terezë dhe Skënderbeut në qendër të Shkupit, ka thënë Miloshoski, janë shembujt më të mirë të respektimit të së kaluarës dhe të tashmes shumë-etnike e shumë-kulturore të Maqedonisë.

Në raport me Kosovën, ai ka deklaruar se Shkupi, duke u mbështetur në praktikat e kaluara deri në përfshirje në Shengenin e Bardhë, do ta ndihmojë Prishtinën edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Pozicioni i Maqedonisë, sipas diplomatit Miloshoski, mbështetet edhe në respektimin e kufijve dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

"Republika e Maqedonisë, e cila ka vendosur marrëdhënie diplomatike dhe e ka njohur shtetin e Kosovës, e mbështet integritetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës si një shtet i barabartë fqinj, me të cilin do të angazhohet të ndërtojë marrëdhënie të mira", ka theksuar Miloshoski.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë se Kosova tashmë ka emëruar të ngarkuarin me punën e ambasadorit në Shkup, pasi që emërimi i ambasadorit kërkon disa procedura më të gjata ligjore.

Hyseni ka lavdëruar avancimin e raporteve ndërmjet dy vendeve fqinje, duke konfirmuar edhe njëherë angazhimet e përbashkëta drejt integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

"Është tepër e rëndësishme që të dyja vendet tona vazhdojnë të dërgojnë mesazhe pozitive, qoftë në Bruksel, qoftë në qendra tjera të vendimmarrjes në botë, si një shembull mirëkuptimi dhe bashkëpunimi konsistent e sistematik".

"Kosova do të insistojë që sa më shpejtë që të jetë e mundshme, të fitojë të drejtën për të udhëtuar pa viza, përkatësisht të fitojë atë që tashmë e ka fituar Republika e Maqedonisë",
ka sqaruar Hyseni.

Gjatë kësaj vizite, Milloshoski, i shoqëruar nga një delegacion qeveritar nga Shkupi, është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se vendet e rajonit nuk duhet t'i nënshtrohen ndryshimit të kufijve aktualë, duke potencuar rëndësinë e ecjes së përbashkët drejt integrimeve euro-atlantike.

"Ndryshimi i kufijve nuk i intereson dhe nuk i konvenon asnjë vendi, asnjë populli në rajonin tonë. Është në interesin e përbashkët të të gjithë popujve të rajonit që, vërtet, të ndërtojmë marrëdhënie të reja bashkëpunimi e partneriteti".

"Po ashtu, mendoj se të gjithë së bashku do të jemi të integruar në Bashkimin Evropian dhe strukturat tjera euro-atlantike",
ka thënë Krasniqi.

Ministri Milloshoski është pritur në një takim në ndarë edhe nga presidenti Fatmir Sejdiu.

"Kosova dhe Maqedonia janë shembull i bashkëpunimit të mirë ndërfqinjësor në rajon"
, ka deklaruar Sejdiu, sipas të cilit, si shtete të fqinjësisë së parë, të dyja vendet natyrshëm kanë edhe interesa dhe ambicie të përbashkëta. (http://www.evropaelire.org)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.