VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Republika e Maldiveve e njohu shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës
E Enjte, 02.19.2009, 06:14pm (GMT1)

Voal-online Ashtu siç pritej, Republika e Maldiveve e ka njohur zyrtarisht shtetin e Kosovës nëpërmjet një letre që ministri i Jashtëm i Maldiveve, Ahmed Shaheed i ka dërguar homologut kosovar Skënder Hyseni. Republika e Maldiveve bëhet kështu shteti i 55 të që njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë letër shefi i diplomacisë së Republikës së Maldiveve thotë se vendimi u mor pas shqyrtimit të rrethanave që i përkasin Kosovës dhe faktit se një numër i madh i vendeve e kanë njohur atë. Më herët gjatë ditës edhe kryetari i Aleancës për Kosovën e Re Bexhet Pacolli njoftoi për njohjen e Kosovës nga ana e Maldiveve. Lidhur me këtë ministri i Jashtëm Skender Hyseni tha se koha e meritave për njohjen e vendit do të vijë më vonë, ndërkaq tash për tash meritë kanë vetëm populli i Kosovës dhe qytetarët e saj. Republika e Maldiveve është një vend me popullsi muslimane. Ajo shtrihet në Oqeanin Indian rreth 671 kilometra në jug të Sri Lankës. Republika e Maldiveve përbëhet nga një grup ishujsh të vegjël koral, të cilët janë të shpërndarë në një sipërfaqe prej 90 000 kilometrash katrore. Sipërfaqja tokësore e këtyre ishujve është vetëm 300 kilometra katrore. Veçoritë e saj gjeografike, burimet natyrore, klima e bëjnë këtë vend një ndër parajsat turistike më mahnitëse të globit.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.