VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Autostradë pa financime të siguruara: Po shtrin Kosova këmbët më shumë se ka jorganin?
E Shtunë, 04.24.2010, 12:31pm (GMT1)

 

 

Të dielën (nesër) zyrtarisht nisin punimet për ndërtimin e autostradës së Kosovës që e lidh atë me autostradën e Shqipërisë. Autostrada pritet të kushtojë 700 milionë euro. Si do ta financojë projektin qeveria e Kosovës?

Qeveria e Kosovës ka siguruar vetëm 46 milionë euro para të gatshme për fillimin e punimeve të autostradës së Kosovës. Autostrada e Kosovës që lidhet me atë të Shqipërisë, thuhet se do të kushtojë mbi 700 milionë euro, sepse akoma nuk ka një projekt të finalizuar, me të cilin do të dihej saktë se sa do të kushtojë ndërtimi i saj. Autostrada do të ndërtohet segment pas segmenti, pasi Kosova nuk e ka shumën e mjaftueshme të të hollave që ta ndërtojë atë.

Si do ta financojë qeveria e Kosovës projektin madhor?

Zëvëndësministri i financave, Bedri Hamza i tha DW-së se qeveria e Kosovës ka planifikuar tre forma të financimit për ndërtimin e autostradës. "Kostoja financiare për ndërtimin e autostradës pritet të mbulohet nga tri burime. E para buxheti i Kosovës. E dyta, një pjesë e madhe e këtij projekti pritet të mbulohet nga procesi i privatizimit dhe koncesionimit të ndërmarrjeve të mëdha të Kosovës, si posta, aeroporti dhe distribucioni i KEK. Në fund kur të shihet se sa janë hyrjet nga buxheti dhe nga privatizimi i këtyre ndërmarrjeve, do të kërkoket ndonjë kredi e butë, e cila do të merret nga institucionet ndërkombëtare financiare", thotë zëvëndësministri, Bedri Hamza.

Qeveria e Kosovës nuk ka hartuar një projekt të detajuar për tërë autostradën, gjatësia e së cilës do të jetë 117 kilometra nga kufiri me Shqipërinë në Morinë deri në afërsi të kufirit me Serbinë në Merdare. Kjo për faktin që sipas zyrtarëve të qeverisë është menduar se më mirë do të ishte ndërtimi dhe projektimi segment pas segmeti, sepse kjo do t'i mundësonte vendit të përgatitej me lehtë për sigurimin të hollave. Bedri Hamza: "Segmenti i parë dhe i dytë kanë një çmim të planifikuar prej 100 milionë eurosh me mundësi që ky çmim të arrijë deri në 120 milionë euro.

Kritikat e ekspertëve: Projekt tepër i shtrenjtë për Kosovën

 

Një fshatar në fshatrat shqiptarë, jo larg kufirit me Kosovën. Shpresohet që autostrada të sjellë zhvillimin në rajon.

Kritikat e ekspertëve: Projekt tepër i shtrenjtë për Kosovën

Për këtë vit, kontraktori, kompania që do ta ndërtojë autostradën, Bechtel & Enka ka kërkuar 80 milionë euro pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar. Zëvëndësministri, Bedri Hamza ka bindjen se kjo shumë do të sigurohet.

Ekspertë të ekonomisë kritikojnë mënyrën sesi qeveria ka menduar të financojë ndërtimin e autostradës së Kosovës. Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë, shprehet se dhënia me koncesion për ndërtimin e autostradës do të ishte forma më e mirë sepse nuk do të ngarkohej buxheti i Kosovës: " Forma më e mirë për ndërtimin e autostradës do të ishte koncesionimi i saj. Mirëpo, qeveria nuk është interesuar që të futet në koncesion. Koncesioni do të ishte më i mirë për Kosovën sepse kjo autostradë për shtrirjen që do të ketë, nuk do të ketë rol të madh rajonal, sepse, ajo mbyllet afër kufirit me Serbinë. Kjo autostradë do të mbetet vetëm një rrugë shumë e mirë dhe atraktive që do të lidhë dy popujt shqiptare dhe asigjë tjetër."

Eksperti Rexhepi thotë se para se të vendosej për ndërtimin e autostradës është dashur që të bëhen analiza të mirëfillta se nëse do t'ia vlente që të hyhet në një projekt me një kosto shumë të lartë, ndërkohë që Kosova vazhdon të jetë vendi me i varfër në rajon. Ai thotë se qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur ta ndërtojë autostradën, mirëpo ka sakrifikuar shumë sektorë tjetë zhvillimorë, sepse buxheti i Kosovës, i cili është jo më i madh se 1 miliard euro, nuk mund të përballojë financimin e projekteve të tjera edhe për disa vite. (http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.