E Martë, 04.23.2024, 02:43pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
LAJMI I FUNDIT
 

17 vjet më parë - Vizita historike e Papa Gjon Palit II në Shqipëri

Nga PJETËR JAKU*


E Djelë, 04.25.2010, 06:42am (GMT+1)

Personaliteti i padiskutueshëm i Papa Gjon Palit II

Papa Gjon Pali II njihet në mbarë botën si një nga personalitetet e rrallë, që vinte nga një vend ish-komunist dhe që kishte përjetuar traumat e një sistemi të tillë. I detyruar në moshën 20-vjeçare të punonte si gurëthyes, për t'iu shmangur kampeve naziste të internimit në Gjermani. Me një vullnet të hekurt, për asnjë moment nuk u ndahet studimeve dhe librave. Studimet teologjike dhe përkushtimi njerëzor, nuk mund të ishin të plota pa njohjen e historisë së vendit të tij, por edhe historisë së krishtërimit në veçanti, çka është dhe një detyrë parësore e një predikuesi të shkallës më të ulët në hierakinë e fesë katolike, si një ndër besimet më solide në mbarë globin.

Si i vetmi Papë joitalian në historinë e papatit pas 455 vjetësh dhe i pari Papë polak, i dha fesë katolike një kuptim të ri, por edhe aq të vjetër sa fillimi i saj, që dalëngadalë po e humbte fillin. Pa e ditur, dhe pak nga pak, katolicizmi po thellohej në politikë, ndaj iu desh Papa Gjon Palit II të hartonte një platformë të re, e cila më parë ishte në kokën dhe në ndërgjegjen e tij.

Eshtë e paharreushme dhe e pabesueshme vizita e Papës në Damask, vizita e një Pape për herë të parë në një Xhami, bashkëpunimi ndërfetar dhe respektimi i çdo besimi, thirrjet e vazhdueshme për Paqe. I cilësuar si Papa që ka udhëtuar më shumë në vende të ndryshme të botës, aq sa ishte bërë e modës shprehja, "I lëvizshëm si Papa", ai nuk u ruajt dhe nuk e njohu frikën, duke pësuar plagosjen e rëndë nga turku Mehmet Ali Agcha, me 13 Maj 1981, të cilin, pasi u shërua e takoi dhe e fali.

Ishte Papa që vizitoi Afriken e Jugut, (47 vende të saj) në Shtator të vitit 1995, duke u takuar dhe përshëndetur me Presidentin e parë zezak, të njohurin Nelson Mandela. Në Janar të vitit 1998, Papa vizitoi Kubën. Larg paragjykimeve dhe përcaktimeve politike, u përshëndet nga Presidenti Fidel Kastro. Presidenti, vërtet ishte një udhëheqës komunist, por vendi kishte tradita katolike.

Karol Vojtyla e mori detyrën e shenjtë në kohën kur gjysma e botës ishte komuniste dhe Lufta e Ftohtë nuk po gjente rrugën e përuljes së një sistemi, që po përkrahej nga të pafetë. Ai pasoi emrin e paraardhësit, Papa Gjon Palit I, metropolit i Venecias, i cili vdiq, vetëm një muaj pas emrimit për Papë. Ishte Tetori i vitit 1978 dhe vetëm 58 vjeç, kur erdhi në detyrën e Papës. Duke ardhur pas dy Papëve të dobët fizikisht, Karol Vojtyla u quajt " Njeri i veprimit"!

Njihet vizita e parë jashtë Vatikanit, të cilën e bëri në atdheun e tij, duke i dhënë krahë dhe besim revolucionit, i cili erdhi vetëm dhjetë vjet më vonë. Kjo ishte një vizitë e guximshme, pasi shënonte lëvizjen e parë të një Pape në një vend komunist. Mbarimi i Luftës së Ftohtë dhe rënia e komunizmit ka të skalitur emrin dhe kontributin e Papa Gjon Palit II. Në të gjitha lëvizjet dhe takimet e tij diplomatike, me personalitetet më të njohur të të dyja kampeve politike, ndikimi i tij qe krejt afër ftohjes së Luftës së Ftohtë dhe ngrohjes së klimes botërore, për një rend të ri më demokratik dhe më paqësues.

Veprimtaria e Tij, dhe sidomos përkrahja e ndihma që i ka dhënë Nënë Terezës sonë, është e admirueshme.

Ishte 02 Prilli i vitit 2005 kur u ndal së rrahuri zemra e Papa Gjon Palit II, por jo vepra dhe puna e tij, në të mirë të njerëzimit. Pikërisht, këtë kuptim mbartin edhe dy titujt e veprave së Tij, "Dashuria dhe përgjegjësia", botuar në vitin 1960 dhe, "Personi dhe vepra", botuar nëntë vjet më vonë.

Para vizitës

Papa Gjon Pali II përherë ka qenë i gatshëm dhe e ka mobilizuar Kishen në ndihmë të Shqipërisë. Thirrjet e tij të vazhdueshme dhe lutjet për Shqipërinë nuk kanë munguar në asnjë rast të daljeve publike. Vatikani në përgjithësi është përpjekur të hyjë në Shqipëri dhe ta çlirojë besimin, por deri në '90-ën ka qenë e pamundur. Regjimi totalitar me slloganin e "njeriut të ri" e zhveshi njeriun nga besimi në fetë mijëravjeçare. Më 3 shtator 1951, Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, vendosi që Radio "Vatikani" të flasë edhe në gjuhën shqipe.

Më 5 tetor 1960, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtohet popullit shqiptar, duke sensibilizuar mbarë botën: "E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë të thjeshtë".

Duhej të vinte 1990, që më 11 nëntor të kremtohej Mesha Solemne në Kapelën e varrezave të Rrëmajit, nga i persekutuari dhe i vuajturi në burgjet komuniste, Dom Simon Jubani.

Me 02 Qershor 1991, në solemnitetin e Korpit të Krishtit kremtohet Mesha Solemne me përfaqësues dhe një delegacion të veçantë të Selisë së Shenjtë, duke vendosur marrëdhëniet diplomatike në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë dhe ambasadë për Shqipërinë.

Me 22 prill 1993, vetëm dy ditë para vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri, ambasadori i parë në Selinë e Shenjtë, Willy Kamsi paraqet letrat kredenciale.

Me 24 Prill 1993, vetëm një ditë para udhëtimit për Shqipëri, Papa Gjon Pali II i drejtohet popullit shqiptar: "Të dashur vëllezër e motra shqiptarë, po vij te ju në emër të Zotit. Po vij, që të lutem me ju dhe për ju, për një të ardhme qetësie dhe paqeje". E në shqip shton: "Mirupafshim nesër! Zoti ju bekoftë!"

Po me 24 Prill 1993, Imzot Rrok Mirdita që vinte nga diaspora, i thirrur nga Papa Gjon Pali II, meqëe shërbente në New York, proncohet për Radio "Vatikanin", për këtë ngjarje tepër të rëndësishme, që i afrohej Shqipërisë së vuajtur nga regjimi komunist i pashembullt, për afro gjysëm shekulli. Kjo është e përfiguruar, në një nga vetratat e Katedrales së Shën Palit në Tiranë.

Nga 22 prilli deri me 28 Prill të vitit 1993, Shqipëria zë vendin kryesor në axhendën e Papës. Shqipëria edhe e meritonte, por edhe kish nevojë për gjithë këtë vëmendje në shkallën ndërkombëtare.

Vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri

S'ma do mendja të ketë njeri që nuk e mban mend puthjen e tokës shqiptare, sapo Gjon Pali II zbriti nga avioni.

S'ma do mendja të ketë njeri që e ka përjetuar atë ditë, të mos i kujtoi fjalët e Tij dhe entuziazmin e popullit shqiptar të të gjitha besimeve.

S'ma do mendja të harrohen pritja, shoqërimi dhe fjalimi i Presidentit të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë.

Nuk mund të harrojmë përshëndetjen e Imzot Rrok Mirditës, prifti katolik që kishte shërbyer 25 vjet në diasporën heroike shqiptare të New Yorkut, në Kishën e njohur "Zoja e Shkodrës", ditë të cilën Papa Gjon Pali II kishte zgjedhur për këtë vizitë.

Nuk mund të harrohen fjalët e tij në sheshin historik të Tiranës në fund të vizitës njëditore, të të parit Papë që vizitonte këtë vend, që Zoti e kishte vënë kaq afër Perëndimit, por që kishte jetuar shumë larg Zotit.

Ja si iu drejtua Papa Gjon Pali II shqiptarëve: "Përvoja juaj e vdekjes dhe e ringjalljes i përket gjithë Kishës dhe gjithë botës. Çdo njeri duhet të reflektojë rishtas mbi gjithçka lidhet me Jezusin, që u dënua me vdekje dhe u kryqëzua dymijë vjet më parë. Duhet të reflektojë edhe mbi çka ju ngjau ju gjatë disa dhjetëvjeçarëve të shekullit XX! Është e drejtë të shikosh përpara për të rindërtuar një ardhmëri të lirë, me fytyrë njerëzore, por përvoja e kaluar nuk duhet harruar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një periudhe shumë të mjerueshme... të paparë në rrjedhën e historisë..."

Nuk mund dhe nuk harrohen kurrë momentet kulmore të vizitës së Papës në Shkodrën historike, në Shkodrën besimtare, që e para theu murin e mosbesimit, që në nëntor të vitit 1990, duke dhënë shembullin e demokracisë dhe lirisë, shembullin e qytetarisë, që kurrë nuk e kishte harruar origjinën e të parëve të saj.

Nuk mund të harrohet përqafimi me popullin, me klerin, që i kishte rezistuar një ferri të vërtetë. Nuk mund të harrohet shoqërimi me Nënë Terezën dhe fjalët e Tij të çmuara dhuruar asaj, si dhe përkujdesjen e vazhdueshme ndaj nobelistes dhe nënës shqiptare të njohur në mbarë botën..

Me këtë vizitë Papa Gjon Pali II dytë organizoi Arqipeshkëvinë shqiptare pas komunizmit, me shugurimin e katër arqipeshkëve shqiptarë: Imzot Frano Ilinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin, të cilëve Papa iu drejtua një për një.

Me këtë veprim i hapet rruga ringjalljes së Kishës Katolike në Shqipërinë pasdiktatoriale.

Pse Papa Gjon Pali II zgjodhi këtë ditë për të vizituar Shqipërinë?

Duke qenë se dita e festës së Zojës së Këshillit të Mirë, sipas kalendarit fetar katolik është 25 prilli, Papa kishte zgjedhur pikërisht këtë ditë për të prekur Shqipërinë dhe për t'i dhënë asaj bekimin e Zotit. Ishte pikërisht 25 prilli i vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e Sulltanit u dynd mbi Shkodër. Bash për të mos u dhunuar nga ushtria osmane, siç kishte ndodhur me shumë Kisha në Shqipëri, figura e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtores rrëzë Kështjellës së Rozafës, duke kaluar detin për t'u vendosur aty ku është edhe sot, në Kishën e Gjenacanit në Itali.

Që në atë kohë nisën shtegëtimet e besimtarëve drejt këtij vendi të shenjtë, Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja e shqiptarëve, e njohur si " Zoja e Shkodrës", që nga ajo kohë nisi të njihej edhe në Itali, për t'u njohur më vonë edhe në Austri e Gjermani.

Figura e Zojës është e pikturuar mbi një copë suvaje muri katrore, me teknikën e afreskut. Eshtë 45 centimetra e lartë dhe 40 centimetra e gjërë. Në të gjitha drejtimet që shihet, duket sikur qëndron e varur në ajër, e mbështetur vetëm paksa në pjesën e djathtë të bazamentit.

Diaspora shqiptare e Amerikës udhëton për atdhe

Për këtë eveniment të paharrueshëm udhëtuan nga Amerika e largët më shumë se 200 shqiptarë nga tri Kishat Katolike shqiptare. Grupi më i madh ishte ai i New Yorkut, pse ishte Kisha më e vjetër, por edhe pse bariu i saj prej 20 vjetësh, Imzot Rrok Mirdita shugurohej Ipeshkv, dhe ky përbënte një eveniment shumë të rëndësishëm.

Nga New Yorku, përkatësisht Kisha "Zoja e Shkodrës" në Hartsdale, udhëtonin Dom Pjetër Popaj, i cili bani pjesë në trupën e Meshës së Shenjtë me Papën në Kishën e Madhe të Shkodrës, dhe do të merrnin pjesë në ceremonitë e Shugurimit të 4 ipeshkve shqiptarë, nga Ati i Shejtë Papa Gjon Pali i Dytë, Tonin Mirakaj, kryetar i Këshillit të kësaj Kishe, Marash Shkreli, Xhakua, i cili asistoi në liturgjinë e rastit dhe lexoi pjesë nga Ungjilli i ditës në atë Meshë historike.

Grupi i New Yorkut ishte i përbërë nga 150 besimtarë, edhe pse kërkesa ishte më e madhe, por mundësitë organizative nuk mund të pranonin më shumë.

Organizimin e bëri një komision i kryesuar nga Tonin Mirakaj dhe i përbërë nga Xhakon Marash Shkreli, Kolë Cacaj, Fran Shala dhe Tony Shkreli i Compas Travel Agency.

Në ceremonitë e shugurimit, mori pjesë e Lumja Nënë Tereza.

Ceremonia në Sheshin "Skënderbej," qe vërtet madhështore. Morën pjesë mbi 200 mijë shqiptarë. Të ardhurit nga New Yorku patën "privilegjin" edhe të organizimit të një pritje në mbrëmjen e 26 Prillit, në Hotel "Dajti", në nder të shkëlqesisë së Tij Mons. Rrok Mirdita dhe ipeshkve të tjerë, që u shuguruan një ditë më parë. Në këtë recepsion, i cili mori një rëndësi të posaçme, u ftuan dhe morën pjesë gati krejt qeveria e asaj kohe, dhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë (rreth 300 persona). "Ajo pritje qe një gëzim i paharrueshëm, na thotë Tonin Mirakaj".

Organizimin e bënë Tonin Mirakaj dhe Marash Shkreli, të ndihmuar nga Çlirim Rushaj, në atë kohë nëpunës i Ambasadës Amerikane. Në mes diplomatëve ishte Ambasadori Ryerson dhe krejt personeli i Ambasadës Amerikane.

Shumë më rëndësi ishte ardhja nga New Yorku e Kardinalit të njohur, të ndjerit John O'Connor, mikut të mirë të Prof. Dr. Sali Berishës, i cili donte ta përjetonte shugurimin e një prifti të Arkdioçezës së tij si Ipeshkv, siç ishte rasti i Dom Rrok Mirditës, për të cilin do të shprehej me fjalët më të mira edhe më vonë, kur u kthye në New York. Në këtë ditë të paharruar, 17 persona nga New Yorku, ndër ta familja e Imzot Rrok Mirditës, prindërit e Dom Pjetër Popaj, Tonin Mirakaj me bashkëshorten dhe vajzën, do të merrnin kungimin e shenjtë nga dora e Papa Gjon Pali II.

Në Detroit ishin organizuar të dy kishat në bashkëpunim me njëra-tjetrën për të udhëtuar e qenë së bashku në vizitën e Papës në Shkodrën demokratike dhe liridashëse. Sipas një bisede me Tony Junçaj, ish-kryetar i Këshillit të Kishës së Shën Palit dhe kryetar i këtij grupi, organizimi qe në një nivel të lartë, siç i takonte një komuniteti katolik si ai i Detroitit, të cilët kishin pasur rast ta vizitonin Papën Gjon Pali II edhe në Vatikan, por edhe ta prisnin e takonin në Amerikë. Në krye, thotë Tony, ishin famullitarët e Kishës "Zoja Pajtore", Dom Prek Ndrevashaj dhe famullitari i Kishës së Shën Palit, Dom Anton Kçira. Dr. Gjekë Gjelaj, kryetari i Këshillit të Kishës "Zoja Pajtore" kishte organizuar një udhëtim për t'u mbajtur mend. Gjeka dhe të gjithë ne, thërrisnin papushim në italisht dhe anglisht për mirëseardhjen e tij, gjë që tërhoqi vëmendjen e Papës në disa raste, i cili na përshëndeste nga ballkoni i Katedrales. Në krye të grupit tonë, vijon Tony, printe flamuri shqiptar dhe amerikan, i mbajtur nga duart e malësorëve të gjatë, Rrok Ivezaj dhe Pjetër Stanaj.

Flamurin shqiptar e mbante Pjetër Stanaj, ndërsa atë amerikan, Rrok Ivezaj. Për arsye të një trafiku shumë të rënduar, na u desh të ecnim disa minuta në këmbë për të arritur te Katedralja.

Me disa prej nesh, Papa dhe Nënë Terezë kishin pasur rastin të takoheshin, ndaj për ne ishte një ditë e madhe, që ishim të pranishëm në atdheun tonë, në tokën e shqipeve, në këtë ditë të shënuar. Në Shkodër, kishim mbërritur një ditë më parë, përfundon Tony, dhe më vjen mirë që pata rastin të takoj dhe t'i siguroj dy bileta të ndjerit dhe të njohurit Gjergj Daku Gjokaj, i cili me një të afërm të tij kishte ardhur nga Malësia për këtë takim historik.

Diaspora shqiptare e Amerikës, me një grup të posaçëm besimtarësh, në një udhëtim të organizuar ishte takuar me Papën me 06 Maj 1988, duke qenë ky takimi i parë i Karol Vojtyles me shqiptarët, ku shumica e tyre ishin të ikur nga Atdheu për të shpëtuar jetën nga regjimi diktatorial i Hoxhës.

Papa Gjon Pali II për Kosovën

Duke ndjekur me vëmendje ngjarjet dramatike të Kosovës, Papa Gjon Pali II, në harkun kohor prej një viti (mars 1998-prill 1999) është prononcuar 24 herë për të mbrojtur popullsinë e pafajshme dhe për t'i hapur udhë procesit paqësor.

Vetëm në prill të vitit 1999, në kulmin e Luftës në Kosovë, ka bërë thirrje plot 7 herë për t'u ndaluar lufta dhe për t'u kthyer paqja.

Disa nga thëniet e Papës marrin një rëndësi të posaçme, si psh:

"I përbuzur e i dëbuar është Krishti në njeriun e munduar e të vrarë në luftën e Kosovës dhe kudo që ngadhënjen kultura e vdekjes". (02 prill 1999)

"...këmbanat nuk kanë rënë për festë në një vend ku vijon shkatërrimi, shpërngulja e vdekja". (05 prill 1999)

Papa Gjon Pali II, në mesazhin e tij Urbi et Orbi, pikërisht për Pashkët e vitit 1999, pati thënë: "I lutem Zotit të ringjallur t'i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vrarë, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë larguar me forcë nga familjarët, për ata që janë detyruar të ikin larg..."

Thirrjet për hapjen e koridoreve të shpresës dhe për heshtjen e armëve u bënë një dritë shprese për popullin e martirizuar të Kosovës, dhe u ktheyn në verpimin e merituar nga bota perëndimore, siç ishte sulmi i NATO-s dhe çlirimi i Kosovës nga armiku shekullor serb.

Literatura:

Catholic New York 06 May 1993

"Dielli" nr 84 ( Janar - Qershor) 1993

"Papa në Shqipëri" autor David Xhuxha, 1995

Imzot Rrok Mirdita: Kujtojmë porosinë e Gjon Palit që shqiptarët ta shohin me guxim të ardhmen,

E Diel, 27-04-2008 ( GSH )

"Të kapërcehet pragi i shpresës" Botim i Gjonlekaj Publishing Company, 1998

Dom Albert Jakaj, 12 Shkurt 2007 ( internet )

Gazeta " Rilindja Demokratike" 07 Maj 1999

Gazeta " 55", 26 Dhjetor 2009

" Bota Sot ", 25 Dhjetor 2008

Gazeta "Shqip ", 25 Prill 2008

Gazeta " Shqip", 26 Prill 2009

" www.zeriyt.com" 25 prill 2008

* autori është botues i së përmuajshmes "Kuvendi" në Detroit

Pjetër Jaku


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Nis ndërtimi i autostradës Morinë-MordareU përurua fillimi i punimeve të "Rrugës së integrimit" (04.25.2010)
PËRFUNDON MËNJANIMI I TRANSMETUESVE TË SERBISË (04.24.2010)
Autostradë pa financime të siguruara: Po shtrin Kosova këmbët më shumë se ka jorganin? (04.24.2010)
JOE BIDEN: DERI 200 000 VENDE TË REJA PUNE GJATË MUAJIT TË ARDHSHËM  (04.24.2010)
SHBA LËSHON NË HAPËSIRË MJETIN USHTARAK TË TELEKOMANDUAR (04.24.2010)
NJË GRUA PAGUAN 80 000 DOLLARË PËR NJË LOJË GOLFI ME BILL KLINTONIN (04.24.2010)
ART konfirmon mënjanimin e transmetuesve të Serbisë (04.23.2010)
Merkel i vë kushte Greqisë (04.23.2010)
OBAMA ËSHTË LIDERI MË I ADHURUAR NË BOTË (04.23.2010)
SHPËRTHIM DIELLOR (04.22.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
KLIKONI NË WWW.VOAL.CH - ZËRIN E SHQIPTARËVE NË NJË DIZAJN TË RI - WWW.VOAL.CH  -  VOAL
80 TË RINJ AMERIKANË E MBAJTËN PARA KUVENDIT KONCERTIN ME KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
80 AMERIKANË KËNDOJNË SOT PARA KUVENDIT TË SHQIPËRISË KËNGË PATRIOTIKE SHQIPTARE
PROTESTA SOT NË SHKUP - TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI
NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKIT
DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT - NDJEKIM NGA AFËR SITUATËN NË MAQEDONI
MAQEDONIA NGRE TRIDHJETË AKUZA PËR TERRORIZËM
LUBOMIR FËRÇKOSKI - QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKEFërçkoski - Konflikti në Maqedoni s'ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”
MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË 'KUMANOVË NUK JE VETËM'
MUSTAFA - 700 SHQIPTARË NGA MAQEDONIA JANË ZHVENDOSUR NË PRESHEVË

 
VOAL
[Shko lart]