VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Rekord vizitorësh te shtëpia muzè e Nënë Terezës në Shkup
E Martë, 02.24.2009, 08:17am (GMT1)

Voal-online Prej përurimit të saj, më 30 janar 2009, shtëpia muzè Nënë Tereza në Shkup ka pasur një numër të madh vizitorësh, rreth 12 mijë, barabar me shifrën vjetore të vizitave që iu bëhen të gjithë muzeve të Maqedonisë. Këtë shifër ia kanë dhënë agjencisë italiane ANSA kryesuesit e iniciativës për ndërtimin e këtij institucioni. Në shtëpinë muzè Nënë Tereza është një ekspozitë e ndarë në dy pjesë: mobilimi i një dhome të stilit të vjetër të qytetit të Shkupit, ku Nënë Tereza, Çmim Nobel i Paqes më 1979, lindi në shtatorin e vitit 1910, si dhe një përmbledhje dokumentesh personale, foto e publikim, me shpjegime në tri gjuhë. Drejtoresha e shtëpisë muzè, Renata Zdravkovska, ka thënë se shtëpinë muzè të Nënë Terezës e vizitojnë, përveç qytetarëve të Maqedonisë, edhe të ardhur nga Shqipëria, Bullgaria, Mali i Zi, Kroacia, Serbia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Italia, Hollanda, Spanja, Polonia, Britania e Madhe, Japonia, Kanadaja, Armenia, Turqia. Nuk është e vështirë ta kuptosh se këta vizitorë, ngado që vijnë, janë kryesisht shqiptarë. Maqedonia është i vetmi vend që ka realizuar deri tani një shtëpi muzè për Nënë Terezën. Vetëm në Kalkuta janë ekspozuar dokumente e foto mbi jetën dhe aktivitetin e saj.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.