VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Tragjedia e avionit turk: Nëntë viktima e 50 të plagosur, 25 prej tyre rëndë
E Mërkurë, 02.25.2009, 04:40pm (GMT1)

Voal-online Nëntë viktima dhe 50 të plagosur, prej të cilëve 25 në mënyrë të rëndë. Ky është bilanci i dhënë nga autoritetet aeroportuale hollandeze për avionin e linjes Turkish Airlines rrëzuar në fazën e zbritjes në afërsi të aeroportit hollandez Schiphol. Në bord ishin 135 veta, udhëtarët dhe ekuipazhi. Avioni, nisur pak pas orës 8:00 të mëngjesit nga Stambolli për në Amsterdam, është copëtuar në tri pjesë pas zbritjes. Sipas gazetës hollandeze De Telegraaf, në momentin e përplasjes kanë vdekur të dy pilotët.
Përplasja ka ndodhur në 10:40 në një terren rreth 200 metra larg autostradës A-9, e cila është mbyllur menjëherë për trafikun, ashtu siç është mbyllur vendqëndrimi i aeroplanëve. Dëshmitarët kanë rrëfyer të kenë parë nja pesëdhjetë veta tek dilnin nga avioni sekush për hesap të vet. "Jemi në mesin e një fushe, nja 5-6 kilometra nga aeroporti," ka thënë për televizionin turk Channel 24 një i mbijetuar, Mustafa Bahcecioglu. "Avioni është bërë tricopash," ka treguar i mbijetuari Huseyin Sumer për televizionin CNN. "Mund të ketë viktima në pjesët anësore të avionit," ka shtuar. Aeroporti hollandez i ka marrë të gjitha masat e duhura. "I gjithë trafiku ajror është bllokuar," ka thënë zëdhënësja Mirjam Snoerwang. "Zjarrfikësit dhe ambulancat janë në vendin e ngjarjes." Pamjet e treguara nga televizionet hollandeze tregojnë se nuk ka shpërthyer zjarr.

Nuk dihet ende arsyeja e aksidentit. Para rrëzimit nuk është dhënë asnjë alarm. Një nga të mbijetuarit ka thënë: "Po zbritnim normalisht kur kemi vënë re një shtëllungë ajri. Avioni ka humbur kontrollin dhe ka ndodhur përplasja. E gjitha ka zgjatur nja katër e pesë sekonda dhe jemi gjendur në një livadh." "Piloti sapo kishte njoftuar se për 15 minita do të zbritnim në aeroport, por jemi rrëzuar nja shtatë tetë minuta pas njoftimit," ka shtuar ai.

Nga analizat e para, sipas ekspertëve, shkaqet e incidentit mund të kërkohen tek i ashtuquajturi "wind shear", një fenomen atmosferik shumë i veçantë ku vihet re një erë e atypëratyshme e fortë dhe e furishme e cila provokon incidente ajrore në fazën e zbritjes në tokë. Nuk përjashtohet mungesa e kraburantit apo stuhia e zogjve që mund të kenë përfunduar në motorët e avionit.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.